Tragjedi në kanalin anglez: Mbyten 12 persona, mes tyre 6 fëmijë dhe një grua shtatzënë

Të paktën 12 jetë u shuan në një tjetër tragjedi të rëndë në kanalin anglez, e disata kjo brenda pak viteve. Një anije me afro 80 emigrantë, u përmbyt në det, mes Francës e Britanisë.

Në mesin e jetëve të humbura, 6 fëmijë dhe një grua që ishte shtatzënë. Autoritetet franceze i nxorrën nga uji viktimat, ndërsa doktorët konfirmuan 12 të vdekur.

Në një operacion që zgjati më shumë se 4 orë mbrëmjen e të martës, autoritetet franceze mundën të shpëtojnë nga vdekja 65 emigrantë.

Varka e emigrantëve që ishin nisur nga veriu i Francës drejt Britanisë, u ça mëdysh gjatë lundrimit në kanalin anglez.

12 persona të tjerë u dërguan me urgjencë në spital. Dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Fatkeqësisht, pjesa e poshtme e anijes u ça dhe u hap e tëra”-tha Olivier Barbarin, kryebashkiaku i Le Portel.

Autoritetet franceze thonë se shkak i dyshuar i çarjes e më tutje përmbytjes së varkës, ka qenë fakti se mjeti lundrues ka qenë i mbingarkuar me njerëz. Problemet me mjetin janë shfaqur menjëherë, sapo varka është nisur nga Franca drejt kanalit anglez, me drejtim Britaninë e Madhe.