Tragjedi shqiptare në Itali: 16 vjeçarja qëllohet për vdekje nga i ati, ndërhyri për të mbrojtur nënën

Një tragjedi me dy viktima dhe një të plagosur. Është ky bilanci i dhimbshëm, ndodhur në orët e para të mëngjesit në Torremaggiore të Foggianos në Itali. Viktimë mbeti një shtetas italian, 51 vjeçari Massimo De Santis, i cili u qëllua për vdekje me thikë në fyt nga ana e një shqiptari 45 vjeçar, i identifikuar si Taulant Malaj. Viktima ndodhej pranë ashensorit të pallatit në momentin kur u godit nga 45 vjeçari, i cili me profesion është bukëpjekës.

Mandej, raporton “La Repubblica”, Taulanti është nisur lart, drejt shtëpisë së tij. Për qëllim ai ka patur të vrasë të shoqen, Teftën 39 vjeçare. Në momentin që është përballur me të, në mes ka hyrë Xhesika, vajza 16 vjeçare e çiftit…adoleshentja ka qenë ajo e cila ka marrë një goditje me thikë, nga dora e të atit, i cili ishte nisur të qëllonte të shoqen. Fatkeqësisht, e mitura ka humbur jetën (gjatë transportimit në spital), ndërsa gruaja e 45 vjeçarit arriti të njoftojë policinë. Edhe kjo e fundit u qëllua dhe u dërgua më pas në spital.

Shkak i kësaj tragjedie të dyfishtë, ka qenë xhelozia dhe dyshimet e 45 vjeçarit se e shoqja e tradhëtonte me italianin, viktimën 51 vjeçar.

“La Repubblica” shton më tutje se sipas rindërtimit të ngjarjes dhe detajeve të deritanishme, ngjarjet kanë ndodhur rreth orës 2 të natës. Kur karabinierët kanë ardhur në vendin e ngjarjes, autori 45 vjeçar po vërdallisej në zonë në kërkim të djalit të tij 5 vjeçar. Arma e krimit, një thikë kuzhine, u rikuperua gjithashtu pas arrestimit të autorit.