Tragjedia në Pejë: Vërshimet e mëdha të ujit i marrin jetën nënës dhe vogëlushit të saj 5 vjeçar

Një nënë 26 vjeçare me të birin 5 vjeçar kanë humbur jetën në mënyrë tragjike mbrëmjen e djeshme në Pejë, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, të cilat shkaktuan vërshime të shumta në lagjen “Asllan Çeshme”.

Siç raporton media e Kosovës, nënë e bir ishin në shtëpinë e tyre kur uji ka vërshuar atje duke i mbytur.

Fillimisht u raportua për gjetjen e vogëlushit, i cili në spital mbërriti pa shenja jete. E ëma e tij ishte shpallur e zhdukur, por disa orë më vonë u gjet e pajetë në afërsi të njërës prej shtëpive të fqinjëve.

Ende nuk dihet në detaje sesi ka ndodhur tragjedia. Prokuroria ka dalë në vendngjarje e ka nisur tanimë hetimet. Fatmir Asllani, nënkryetari i komunës së Pejës, deklaroi për gazetën Express se çfarë dihet deri më tani.

“Siç po raportohet, sepse rasti sigurisht është edhe duke u hetuar, aq sa dimë ne ata kanë qenë në shtëpi dhe shtëpia ka qenë shumë afër jazit që ka vërshu dhe vrulli i madh i ujit që ka ardhë e ka marrë edhe shtëpinë. Supozohet njëfarë dige që ka qenë ë ndërtuar në lagjen në vitet 50-60, ajo është dëmëu dhe e ka sjellë vrullin e madh të ujit. Ata dy kanë qenë në shtëpi dhe fqinjët e kanë raportu rastin. Shtëpia duhet me qenë ndërtim i pasluftës. Nëna është gjetë në një shtëpi afër fqinjëve, më vonë”, tha Asllani.

Pamjet e publikuara në mediat e Kosovës, po ashtu tregojnë forcën e vërshimeve në Pejë.