Tragjedia në Shkodër, vijojnë kërkimet për gjetjen e nënës e 2 fëmijëve, 9 vjeçarja përcillet sot në banesën e fundit

Polumbarët kanë rinisur kërkimet që në orët e mëngjesit të kësaj të hëne në ujërat e Bunës, në orvatje për të gjetur trupat e Alma Arrazit dhe 2 fëmijëve të saj, të cilët dyshohen se janë mbytur.

Kërkimet kanë vijuar kryesisht në afërsi të Darragjatit, në zonën e Dajçit, aty dhe ku u gjet trupi i pajetë i vajzës 9 vjeçare të familjes. Kërkime po bëhen dhe në zonën e Berdicës dhe Anës së Malit. Pritet që veç forcave të RENEA-s, të mobilizohen dhe forcat e ushtrisë për gjetjen sa më parë të viktimave.

Familja ndërkohë ka hapur dyert e mortit për vogëlushen 9 vjeçare e cila u gjet krejt rastësisht nga disa peshkatarë mbrëmjen e vonë të së shtunës. Sot në orën 14:30, 9 vjeçarja përcillet për në banesën e fundit.