Trump apo Harris… Kush do t’i fitojë zgjedhjet në SHBA?

Ditën e nesërme, afro 240 milionë qytetarë me të drejtë vote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dalin në votime për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit.

Ndryshe nga herët e tjera, gara duket të jetë mjaft e afërt, teksa edhe sondazhet kësaj here nuk nxjerrin një fitues të qartë. Në serinë e madhe të sondazheve të kryera, po përcjellim një përmbledhje të përpiluar dhe publikuar nga New York Times, mbi pollet në disa prej shteteve më me peshë për zgjedhjet.

Shpjegues: Çfarë janë ‘swing state’

Në zgjedhjet amerikane shpesh përdoren termat “swing state” (shtet i lëkundur), “battleground state” (shtet fushëbetejë) ose edhe ‘shtete vjollcë’, koncepte sinonime që përdoren pa u shpjeguar më në detaje për një audiencë që nuk ndjek politikën amerikane.

Në SHBA ka 50 shtete dhe meqenëse shumica e tyre përgjithësisht votojnë për të njëjtën parti, në realitet pesha e zgjedhjeve ‘zhvendoset’ tek ato shtete që historikisht nuk kanë votuar përherë për një parti apo kandidatin e tyre.

Tabele e publikuar nga New York Post

Për të dhënë një shembull, shteti i Kalifornisë i cili historikisht njihet si një ‘bastion’ i demokratëve, ka më pak rëndësi sesa shteti i Wisconsin edhe pse ky i fundit nxjerr 10 vota elektorale, krahasuar me 52 të tilla nga Kalifornia. Por fakti është se shteti i Ëisconsin nuk është “bastion” i asnjërës prej dy partive të mëdha në SHBA, duke u cilësuar kështu si ‘shtet i lëkundur’, ku dy kandidatët luftojnë për të fituar votat.

Duke parë peshën e këtyre shteteve në zgjedhjet amerikane, lufta elektorale në to është shpesh herë e bërë votë pas vote. Shembulli më i hershëm është në shtetin e Arizonës, i cili në vitin 2020 u fitua nga Biden me një diferencë prej veçse 10 mijë votash përkundrejt kundërshtarit të tij të kohës, Presidentit Trump.

Ndaj dhe sondazhet e pollet e kryera, fokusohen pikërisht tek këto shtete.

Janë në total 7 shtetet që konsiderohen të lëkundura për këto zgjedhje, konkretisht Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, North Carolina, Pennsylvania dhe Wisconsin.