U aksidentua me ‘jetski’ në Himarë, ndërron jetën 16 vjeçari

5 ditë më parë në plazhin e Llamanit në Himarë, 4 të rinj do të përplaseshin teksa lundronin me dy motorë uji. Si pasojë e aksidentit, një 16 vjeçar me inicialet K.Xh do të mbetej i plagosur rëndë. I riu u transportua me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë, me plagë të rënda në trup e kokë. Të nesërmen e aksidentit i riu pësoi vdekje klinike, ndërsa 5 ditë më vonë u shua.

Të rinjtë, shokë me njëri- tjetrin, po bënin xhiro me jetski në det kur në rrethana ende të paqarta u përplasën mes tyre.

Fillimisht policia e raportoi si një aksident gjatë hedhjes nga shkëmbinjtë plagosjen e rëndë të të ndjerit, kjo për shkak se dy prej djemve dhanë dëshmi të rreme duke tentuar të fshehin ngjarjen.

Gjatë hetimeve të rinjtë treguan të vërtetën e ndodhisë tragjike. Mbi rastin u arrestua pronari i motorëve të ujit të cilët po përdoreshin nga të rinjtë.