U arrestuan në Tiranë: 4 të rinjtë e Kosovës bashkëpunonin me serbë për trafikun e armëve

Katër shqiptarët e Kosovës që u arrestuan në Tiranë për trafik të premten, i merrnin armët nga shtetas serbë dhe më tutje i shisnin ato në Shqipëri, për llogari të botës së krimit.

Blerim e Muhamed Krasniqi, Edonis Thaçi e Benjami Shala, dyshohet se bashkëpunonin me shtetas serbë, ndërsa këta të fundit armët i gjenin nga prodhimet çeke.

Policia e kryeqytetit ka mundur të identifikojë disa raste tjera të shitjes së pistoletave pas këqyrjes së celularëve të të arrestuarve, ku komunikimet për trafikun kanë qenë të shumta. Mes bisedave me shtetas serbë, ka patur dhe komunikime me blerës të armëve, ndaj autoritetet kanë kryer një sërë kontrollesh nëpër banesa të ndryshme në disa qytete të vendit.

Dyshime ka se armët shiteshin edhe në Greqinë fqinje. Katër të rinjtë nga Kosova u arrestuan pranë terminalit të autobusëve në Lundër, aty ata  po merrnin pistoletat të cilat i kishin futur në autobusët të linjës Kosovë- Tiranë.

Pistoletat e sekuestruara në këtë operacion, ka dyshime se do të shiteshin për vlerën nga 1500-3000 Euro copa.

Grupi dyshohet se prej mëse 1 viti trafikonte armë nga Kosova drejt Shqipërisë. Për të paktën 7 muaj ata ishin vënë nën përgjim. Blerim e Muhamed Krasniqi i fusnin armët tek linja e autobusëve në pronësi të Edonis Thaçit. Ky i fundit ishte në dijeni dhe bashkëpunëtor me tre të arrestuarit e tjerë.

Momenti i arrestimit të të rinjve