Methju Reum po udhëtonte me makinën e tij në Indiana kur papritur humbi kontrollin e automjetit dhe ra në përroin poshtë këmbëve të një ure. 27 vjeçari u zgjua pas disa orësh prej dhimbjeve. Kishte thyer disa kocka, ndërsa këmbët i kishin ngecur. Pavarësisht tentativave për të dalë, 27 vjeçari nuk kishte mundur. Thirrjet e shumta për ndihmë kishin qenë të kota. Në atë zonë nuk kishte banorë përreth. 27 vjeçari ishte i vetëm dhe i tillë qëndroi për plot 6 ditë.
Derisa atje, krejt rastësisht, kaluan dy peshkatarë. Mario Garcia me dhëndrin e tij Nivardo De La Torre, po kalonin në atë zonë dhe mundën të pikasin makinën e shkatërruar poshtë, në përrua. Burrat u ulën poshtë dhe panë të riun, në gjendje të rëndë. Thirrën autoritetet. Atje mbërritën policia, ambulanca e zjarrfikësit, të cilëve iu desh të sharronin një pjesë të makinës për të nxjerrë jashtë të riun. Mandej Methju u nis me urgjencë në spital.
NBC i intervistoi dy peshkatarët që e gjetën 27 vjeçarin.
“Kur shkuam atje, ai na tregoi se ishte munduar të bërtiste për ndihmë, por askush nuk e kishte dëgjuar, na tha se ishte qetësi totale, dëgjohej vetëm zhurma e ujit dhe asgjë tjetër. Nuk besoj se ndokush do të mund ta ketë parë. Ishte me fat sepse edhe ne padashur e pamë, nga reflektimi i dritës në llamarinat e makinës. Ishte kurioziteti që na shtyu të shkojmë të kontrollojmë e jam shumë i lumtur që shkuam deri atje.”-tregoi Mario Garcia.
“Për mua ishte hera e parë që shkonin në atë zonë, nuk e di… por mendoj se ne u dërguam atje për një arsye”
Një Gofundme u hap për të riun nga një mik i tij dhe brenda 24 oëve u mblodhën më shumë se 40 mijë dollarë. Sipas mikut të 27 vjeçarit, mjekët i kanë treguar se me gjasë do duhet t’i amputojnë këmbët të riut, për shkak të qëndrimit të gjatë i bllokuar në makinë.
“Methju është gjallë dhe kjo është më e rëndësishmja”-tregoi shoku i 27 vjeçarit.
Autoritetet shpjeguan sesi ndodhi aksidenti, ndërsa një prej sergjentëve atje tregoi se 27 vjeçari është vërtet me fat të madh që mundi të shpëtojë gjallë nga aksidenti.
“Të them të vërtetën, është një mrekulli që ai është ende gjallë. Koha ka qenë e mirë në këto ditë. Vitin e kaluar përshembull, në këtë kohë ka qenë i ftohtë akull”-tregoi ai.