“U jam mirënjohëse të gjithëve, ju dua shumë” Momente prekëse, nëna e tre fëmijëve niset për kurim

Erkanda Kotrri, nëna e tre fëmijëve nga Shkodra, tanimë është nisur drejt Turqisë për kurimin e sëmundjes së rëndë që e ka prekur (limfoma). Pak para nisjes, Fatma Naçi e Meri Bejleri udhëtuan drejt Shkodrës, për të takuar Erkandën, fëmijët e nënën e saj.

“Ne kemi ardhur për të të uruar rrugën e mbarë. Të shkosh mirë e të kthehesh mirë. Ne do të jemi këtu bashkë me nënën dhe me fëmijët e tu, duke të të pritur që të vish e shëruar e të na gëzosh të gjithëve. Erkanda, do të jesh në lutjet tona çdo moment“- i premton Fatma Erkandës.

Në aeroportin e Rinasit, gati për t’u përballur me një betejë të vështirë e të gjatë, Erkanda buzëqesh dhe shpreh falenderimet e saj për të gjithë ata shqiptarët që u lutën dhe dhuruan diçka nga vetja, për shëndetin e saj.

“Sot nisem për në Turqi, shpresoj të kthehem e shëruar. Falenderoj Fondacionin Firdeus që mori përsipër rastin tim. Falenderoj të gjithë shqiptarët që mu gjendën pranë në momentet më të vështira të jetës. U jam mirënjohëse të gjithë, ju dua shumë.”-thotë Erkanda.