U nis mes jetës e vdekjes, sot gëzon shëndet e buzëqesh… ja si është vogëlushja Solei

Në fund të muajit mars emisioni “Për Shqiptarët” solli në vëmendje të publikut historinë e dhimbshme të një familje nga Shkodra dhe foshnjes së tyre të vogël, Soleit.

Sapo Solei erdhi në jetë, një komplikacion shëndetësor i detyroi mjekët ta vendosin në intubim. Klediana, nëna e Soleit, as nuk mundi dot ta shohë të bijën. Solei u dërgua më vonë me urgjencë drejt Tiranës. Kur Klediana doli prej spitalit dhe udhëtoi në kryeqytet, e gjeti të bijën të intubuar. Atje vogëlushja qëndroi për 1 muaj e gjysëm në inkubator, mes jetës e vdekjes.

Të pashpresë, prindërit e Soleit u lutën për ndihmë në Fondacionin Firdeus.

Atë natë Ramazani kur thirrja e ndihmës iu drejtua shqiptarëve, Klediana e  Eduardi erdhën në emisionin “Për Shqiptarët”. Elvis Naçi e Sidrit Bejleri i thanë këto fjalë prindërve, që nuk shihnin më dritën e shpresës.

“Zoti ka vendosur direkt pas madhështisë së Tij, nënën. Nuk ka krijesë më të bekuar, pas Krijuesit të Gjithësisë, sesa nëna. Bamirësit nuk kanë qenë asnjëherë larg nesh. Ju lutem të mos e humbi shpresën, sepse ju tani nuk jeni më vetëm. Ju këtë sprovë po e ndani me ne dhe të gjithë shqiptarët.”-u tha Elvisi prindërve.

“Unë e di çfarë paralelesh hedh Elvisi, sepse ne kemi përjetime. Ato dhoma spitalesh, ato fjalë nëne, të një fëmije që ndodhet i intubuar. Unë i kam ndjerë herët. Dhe i kam ndjerë në çdo rast të çdo fëmijë. Kam dëgjuar, ndjerë dhe fjalët e një burri të urtë që thoshte, ‘halli nuk ka gjyq’ dhe ‘loti është mëshirë’. Unë juve, Klediana e Eduard, ju them që keni trokitur në derën e duhur.”-u tha Sidriti prindërve.

Pa kaluar 24 orë, falë mijëra e mijëra bamirësve, shuma e nevojshme për kurimin e Soleit u arrit. Vajza u nis për kurim drejt Italisë fqinje. Pak para nisjes në aeroport, Klediana lutej për ditën që do të mundej më në fund, ta merrte të bijën në krahë.

Kanë kaluar veçse dy muaj nga ajo lutje. Lutje e një nëne që për çdo sekondë të 1 muaji e gjysëm njohu vetëm vuajtje. E tanimë, na vijnë lajme të mrekullueshme.

Elvis Naçi njoftoi lajmin e gëzueshëm. Solei vogël ka kaluar çdo rrezik dhe ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Veç prindërve që gëzojnë vajzën e tyre, buzëqeshja e Soleit është një dritë lumturie për të gjithë ne. Në veçanti për ata mijëra shqiptarë që u bënë shkas për t’i shpëtuar jetën vogëlushes.