Sot është 7 marsi, dita e mësuesve. Kjo është historia e njërës prej tyre, mësuese Majlinda Myzyrit, e cila veç vështirësive të mësimdhënies, u përball edhe me kancerin e gjirit.
Në një intervistë për abcnews, mësuesja e matematikës shpjegoi se kur mjekët i thanë për herë të parë se ishte e prekur, asaj nuk i besohej. Majlinda rrëfeu se kur mëson mbi këtë sëmundje, është një tronditje e madhe.
“Momentin e parë kur e mëson, shokohesh…nuk e kupton që je prekur, vetëm kur ta thotë doktori. Mua më ka thënë që Majlinda, je e prekur por shpresoj që të jetë femër. Më ka thënë do të hysh urgjent direkt në operim… ndërkohë që unë i thoja, po nuk ndiej gjë, jam mirë. Nuk bindesha vetë në fillim.
Qelizat ishin agresive, por trupi e kishte kapsuluar dhe nuk kishte metastaza. Ndërhyrjen e kam bërë këtu në Tiranë dhe më pas kam vijuar kimion. Ajo fjalë më dukej tabu… nuk e dija se unë përshembull, do të më binin flokët. Me paruke kam ndenjur për shumë kohë.”-tregoi ajo.
Mësuesja shpjegoi se pas ndërhyrjes ka shkuar të japë mësim, pasi nxënësit kishin mbetur pas me lëndën e matematikës. Majlinda tregoi për rastin kur pati gjakderdhje gjatë mësimit.
“Në shkollë kam shkuar të jap mësim pas operimit, afro 12 ditë pas ndërhyrjes. Nxënësit më kanë marrë në telefon gjatë gjithë kohës. Fatmirësisht nxënësit më duan… edhe pse jam mësuese matematike. (qesh)
Ka ndodhur një rast, pa ndërhyrjes, dy djem në fund po flisnin dhe u thashë ju lutem boll folët. Ngrita dorën dhe penjtë mu këputën, më doli gjak nga plaga. Nxënësit e panë dhe më treguan, mësuese të ka dalë gjak në bluzë. Ata thjesht e dinin që unë kisha ardhur, isha shëruar. Unë e përdora krahun, ndërkohë që në atë kohë nuk duhet ta lëvizja fare.
Për një kohë, çdo 21 ditë duhet të bëja kimio dhe një mësuese e re më zëvendësonte. Për afro 5 ditë pas kimios, thjesht nuk kisha forcë të çohesha, e mësimin e bënte mësuesja zëvendësuese.”-rrëfeu mësuesja.