U plagos në sherrin ku u vra Martini, 14 vjeçari lë spitalin pas 11 ditësh

11 ditë pas ngjarjes tragjike në afërsi të shkollës ‘Fan Noli’ në kryeqytet, 14 vjeçari që mbeti i plagosur ka mundur të dalë nga spitali i traumës.

Luisi mori disa goditje me thikë dhe mbeti i plagosur gjatë sherrit që i kushtoi jetën 14 vjeçarit Martin Cani. Të dy shokët u përleshën ditën e hënë pas shkollës me një tjetër bashkëmoshatar, i cili i mori jetën me goditje thike Martinit dhe la të plagosur Luisin.

Autori dyshuar tanimë ndodhet në burgun e të miturve në Kavajë, në pritje të nisjes së procesit gjyqësor. 14 vjeçari, i akuzuar për vepër të rëndë penale, rrezikon të paktën 10 vite burgim.

Fatmirësisht Luisi tanimë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka dalë prej spitalit. Ditët e fundit ai dhe babai i tij kishin një pretendim se në sherrin e ndodhur më 18 nëntor, kishte një autor të dytë i cili ka qëlluar me thikë Luisin.

Policia reagoi për rastin duke këmbëngulur se autori ngjarjes ka qenë një dhe i vetëm, 14 vjeçari tanimë i burgosur.