U qëllua me thikë nga i shoqi, ndërron jetë në spital Marjola Myrtollari

Ka ndërruar jetë Marjola Myrtollari, e reja e cila u qëllua me thikë disa herë nga i shoqi më  4 qershor në Korçë.

Pas një përplasje verbale me të ndjerën, autori Aleko Myrtollari largoi nga banesa fëmijët dhe qëlloi të shoqen me thikë, duke e lënë të plagosur rëndë. Mandej Myrtollari u arratis, për t’u vetëdorëzuar dy ditë më vonë tek autoritetet.

Gruaja e tij u shtrua në spitalin e Korçës e më tutje në spitalin e Traumës në Tiranë. Fatkeqësisht, javë pas ngjarjes, gruaja nuk ka mundur dot t’i mbijetojë plagëve të marra, duke lënë jetimë dhe fëmijët.

Aleko Myrtollari, i ndaluar tashmë, pritet të përballet me një tjetër akuzë më të rëndë dhe të rrezikojë të paktën dekada burgim.

Çifti jetonte në Tiranë dhe pak kohë më parë kishte vendosur të rikthehej në Korçë. Aleko Myrtollari punonte në Greqinë fqinje me sezone. Sipas pistës së hetimit Myrtollari kishte xhelozi për të shoqen dhe shpesh herë i drejtohej alkoolit.

Në dëshminë e tij para hetuesve, ai deklaronte se sherri kishte nisur pasi e shoqja nuk kishte pranuar të gjente punë.