“U shokova, fillimisht m’u duk si kukull” Flet peshkatari që pikasi trupin e pajetë të 9 vjeçares në Shkodër

Safet Hasani kishte dalë për të gjuajtur peshk në mbrëmje, pa e ditur se të shtunën do të përballej me një ngjarje që do ta shokonte. Ishte ai peshkatari i cili pikasi trupin e pajetë të vajzës 9 vjeçare të familjes Arrazi, nëna e dy fëmijët e tjerë të së cilës ende po kërkohen në ujërat e Bunës.

Hasani tregoi se me varkën e tij ndodhej pak metra pas bentit të Darragjatit në Dajç, kur vuri re nën ujë siluetën e një njeriu. Ai shpjegon se ndezi dritën e celularit dhe kur dalloi figurën është shokuar.

 “Kam qenë duke gjuajtur peshk dhe duke u ngjitur tek një vijë uji pak më poshtë nga benti i Darragjatit, ishte errësirë dhe mu desh të ndizja dritën e telefonit për për të parë se mos në ndeshta helika në tokë. Në fund të ujit më bëri të dyshoj sepse ishte 1 metër e pak ujë dhe nuk po e disha nëse ishte kukull apo njeri. Për momentin u shokova sepse më shkoi mendja se mos është njeri. Mora policinë në telefon pas pak minutash dhe erdhën menjëherë. Erdha me varkën time dhe i mora këtu tek benti i Darragjatit dhe kemi shkuar tek vendi.

Pasi policët e çuan sipër u konstatua se ishte njeri. U shokova sepse thoja ishalla nuk është njeri se të vjen keq por pastaj më shkoi mendja që të marr policinë sepse ishte diçka që nuk e kisha dëgjuar as në lajme për ndonjë person të humbur apo se është mbytur kush apo jo”, ka rrëfyer peshkatari Safet Hasani.

Këtë të hënë, familjarët dërgojnë për në banesën e fundit vogëlushen 9 vjeçe, ndërsa polumbarët vijojnë ende kërkimet për të gjetur nënën e saj si dhe dy fëmijët e tjerë, të dyshuar po ashtu të mbytur.

NGJARJA

Tragjedia në Shkodër tronditi mbarë opinionin publik, kur hetuesit arritën të identifikojnë se trupi i pajetë i 9 vjeçares i përkiste njërit prej fëmijëve të familjes Arrazi. Babai i kësaj të fundit kishte denoncuar pak ditë më parë për zhdukjen e të shoqes, Almës, së bashku me tre fëmijët 9,8 e 3 vjeç.

Pas hetimeve dhe gjetjes së trupit të vogëlushes, policia arrestoi kryefamiljarin, pasi ai dyshohet të jetë bërë shkas i një ngjarje tepër të rëndë, atë të shkaktimit të vetëvrasjes nga ana e të shoqes dhe fëmijëve.

Ka qenë motra e Alma Arrazit ajo e cila ka vënë në dijeni autoritetet se Ergys Arrazi prej kohësh ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj të shoqes. Madje së fundmi, Alma Arrazi kishte mësuar se i shoqi edhe e tradhëtonte. E nga ajo që dyshojnë hetuesit deri më tani, në kushte të rënduara psikike Alma mendohet të ketë marrë fëmijët e saj e të jetë hedhur bashkë me ta në Bunë.

Për gjetjen e nënës dhe dy fëmijëve të tjerë 8 e 3 vjeç, vijojnë ende kërkimet nga polumbarët. Ditën e djeshme nuk u gjet asnjë trup, ndërsa këtë të hënë polumbarëve të RENEA-s pritet t’i bashkohen dhe forcat e ushtrisë në zgjerimin e hapësirave të kërkimit.