U zgjua nga koma një ditë para se t’i hiqnin aparaturat… 5 muaj më vonë, 35 vjeçarja vrapon në maratonë

Kjo është historia e pabesueshme e një gruaje 35 vjeçe, e cila kaloi nga rreziku i vdekjes në aftësinë për të vrapuar e përfunduar një maratonë në qytetin e saj, Boston.

Rejçëll Foster (Rachel Foster) pësoi një aksident të rëndë teksa po drejtonte një skuter elektronik. Gruaja u rrëzua dhe mori lëndim serioz në kokë. 35 vjeçarja përfundoi në spital, në gjendje kome dhe qëndroi aty për 10 ditë.

Gruaja ishte e regjistruar si dhuruese organesh… nëse diçka e tillë do të ndodhte, ajo i kishte lënë amanet familjes që organet e saj të dhuroheshin për ata që kishin nevojë. Vetëm 24 orë para se mjekët t’i hiqnin aparaturat që e mbanin gjallë, 35 vjeçarja u zgjua nga koma.

Si besimtarë, ajo vetë, i shoqi dhe gjithë familja, e konsideruan këtë mrekulli një nga Krijuesi. E pas zgjimit nga koma, për 5 muaj me radhë, gruaja nisi terapitë e shumta për t’ju rikthyer jetës normale. Rejçëllit i duhej të rimësonte për të ecur… e falë vullnetit e besimit në Zot, 35 vjeçarja jo vetëm që u riaftësua, por mori pjesë në maratonën e Bostonit

“E prisja ditën kur do të bëja maratonën. Kjo dëshirë më ndihmoi të ecja sërish. E di që duket çmenduri, por mendimi se do të mund të ecja, vrapoja, më ndihmoi. Për mua ishte një mrekulli. Prezumohej se nuk duhej të isha gjallë e jo më të vrapoja në maratona”-tha gruaja në një intervistë për Boston 25 news.