Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet për ndeshjen e fundit të së hënës, ku përballë do të kemi spanjollët, tanimë të kualifikuar për në fazën e ardhshme të Euro24.
Por është pikërisht Spanja e vendit të parë, është ajo e cila duhet mundur, në mënyrë që Shqipëria të ketë shansin për të dalë fitimtare nga ‘grupi i ferrit’.
Së fundmi UEFA ka përpiluar të dhënat për mënyrën sesi mund të dalë nga grupi, Shqipëria, Italia apo Kroacia.
Kujtojmë se nga grupet për në fazën tjetër dalin dy skuadrat me më shumë pikë. Veç tyre, në gjashtëmbëdhjetëshe dalin edhe 4 skuadrat më të mira që kanë dalë në vendet e treta në grupet respektive.
Italia mund të dalë në vendin e dytë nëse shmang humbjen me Kroacinë.
Italia s’mund të dalë nga grupi, nëse Shqipëria fiton ndaj Spanjës dhe ‘azurrët’ vetë, humbin ndaj Kroacisë.
Kuqezinjtë kalojnë në raundin e radhës si nënkampionë të grupit, nëse mposhtin Spanjën dhe Kroacia mund Italinë, me kusht që Shqipëria të përfundojë përpara Kroacisë në bazë të diferencës së përgjithshme të golave ose golave të shënuar, pikëve disiplinore ose renditjes kualifikuese evropiane.
Shqipëria nuk do të mund të hyjë në 1/16 nëse humbet ose barazohet dhe Kroacia mund Italinë.
Kroacia do të kalojë në raundin e 16-të si nënkampione e grupit nëse mposht Italinë dhe Shqipëria nuk mund Spanjën (nëse fiton edhe Shqipëria, Kroacia dhe Shqipëria do të ndajnë vendin e dytë dhe të tretë sipas kritereve të mësipërme).
Kroacia nuk do të arrijë dot në fazën e 16-të nëse humbet ose barazohet dhe Shqipëria shmang humbjen.