“Unë s’doja ta vrisja babain, më kapi paniku” Flet 30 vjeçari që i mori jetën të atit dhe e hodhi në pus

Esmerald Balla ka rrëfyer pra hetuesve se nuk ka qenë qëllimi i tij të vrasë babain, ndësa justifikimi i tij për faktin që e hodhi trupin e pajetë të të atit në fundin e një pusi, ka qenë tronditja dhe paniku momental.

30 vjeçari tregoi se familja kishte arritur të kursente afro 70 milionë lekë të vjetra nga punët në bujqësi. I riu priste së shpejti të lëvizte nga shtëpia e të atit, pasi kishte ndërtuar një shtëpi të tijën. Për paratë e ruajtura në kasafortë, ai tha se çelësa kishte babai dhe ai vetë. Esmerald Balla tha para hetuesve se kur ka shkuar të marrë afro 20 milionë lekë për të paguar kontraktorin që i ndërtonte banesën, ka parë që kasaforta ka qenë e hapur me gur fresibël dhe se të gjitha paratë ishin zhdukur.

“Vrasja e babait është bërë padashje sepse ai tentoi të më vrasë mua dhe në momentin kur po mbushte pistoletën për të më vrarë mua unë u mundova tia hiqja nga duart por ajo bëri qitje të pavullnetshme 2 herë, duke i shkaktuar atij vdekjen. Sherri nisi dy ditë para ngjarjes. Ne merremi me punë në bujqësi. Kemi toka dhe stallë ku mbajmë bagëtinë larg shtëpisë. Me punë, kryesisht blegtori, nxjerrim dhe fitimet tona. Nga kjo punë kishim kursyer 75 milion lekë që i mbanim në një kasafortë. Në truallin e banesës ku jetojmë unë po ndërtoj një shtëpi tjetër. Ditën e ngjarjes shkova të merrja lekët pasi sipërmarrësi i punimeve kërkoi pagesën sepse e kishte mbyllur punën për të cilën kishim rënë dakord.

Kur hapa kasafortën për të marrë lekët pashë që ato nuk gjendeshin aty. Kasafortën e hapnim unë edhe babai. I them babait: ‘ku janë paratë’!? ‘Se di’,- më tha. Kasaforta ishte dëmtuar me mjete të forta. Ishte hapur. Për mua nuk kishte dyshim që ato para i kishte marrë ai.  Aty nisëm të debatonim.

Rrugës duke shkuar te prona jonë, rreth 1 km larg stallës së bagëtive, u grindëm përsëri. Në një moment babai nxorri pistoletën dhe u bë gati ta mbushte. Unë ju hodha dhe ja kapa duke i ndryshuar drejtimin tytës .Në këtë moment arma bëri 2 shkrepje në trupin e babait duke i shkaktuar atij vdekjen. Kur u shkreh arma dhe pasi pashë që babai ishte qëlluar mu shemb bota pasi nuk doja që të ndodhte kështu. Me kapi paniku. Nuk dija çfarë të bëja. Kisha frikë të denoncoja krimin në polici edhe pse ishte aksident. E mora trupin në makinë dhe kemi një pus diku 1 mijë metra larg shtëpisë. E hodha aty që ta fshihja. Telefonin ja fika i hoqa kartën dhe e hodha edhe telefonin në pus. Mirëpo nuk ndihesha mirë. Më kapi ankthi dhe u bëra keq.

Shkova në spitalin e Durrësit për vizitë. Mjekët me dhanë ca ilaçe. Pas nja dy ditësh e denoncova babanë të zhdukur në polici. Thash në polici se babai kishte marrë leket dhe ishte zhdukur me një femër tjetër. Lajmërova edhe vëllezërit. Iu thash që babai ka ikur nga shtëpia. Kështu vazhdoi për disa ditë deri ne momentin që ju e zbuluat ngjarjen. Me vjen shumë keq nuk doja të shkonte kështu”,- ka deklaruar Esmerald Balla.

62 vjeçari Enver Balla u vra më 13 gusht dhe u desh afro 1 muaj punë e hetime për të zbuluat trupin e tij në një pus, afro 1 km larg banesës. 30 vjeçari Esmerald Balla kërkoi ndihmën e një tjetër personi për të zhdukur trupin. Ky i fundit, një 25 vjeçar i quajtur Edison Brahaj, u arrestua të enjten nga policia nën disa akuza.

“Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Shënavlash, ku djali vrau me armë zjarri babain e tij dhe e deklaroi të larguar nga banesa, duke pretenduar se kishte humbur kontaktet me të, veprimet janë intensifikuar dhe si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i bashkëpuntorit të tij, shtetasit E. B., 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës.

Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin E. B., dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.

Gjatë kontrollit në banesën e E. B., u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh.

Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”., njoftoi policia.