Uragani sjell shkatërrim në Florida, era mbi 200 km/h rrëzon dhe vinçat, përmbytje të mëdha

Të parët që u mbërthyen nga një uragan i kategorisë së tretë ishin banorët e Florida-s, tre milionë prej të cilëve janë pa energji elektrike që prej ditës së djeshme.

Uragani “Milton” ka mbërritur me një forcë të jashtëzakonshme duke sjellë të paktën 4 viktima dhe dhjetëra e dhjetëra raste të dëmeve serioze. Me erëra të stuhisë që arrijnë mbi 200km/h, uragani ka sjellë përmbytje në disa zona, mbylljen e thuajse të gjitha aktiviteteve publike dhe dëme serioze.

Autoritetet i janë lutur banorëve që të evitojnë daljet në rrugë, ndërsa veç erës së furishme dhe përmbytjeve, uragani u bë shkas për krijimin e disa tornadove e vërshimeve të shpeshta të ujit.

Guverntori i Florida-s Ron DeSantis paralajmëroi se të tjera përmbytje pritet të vijnë në ditët në vijim.

Në St Petersburg në bregun perëndimor, furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë.

Një vinç u mor nga era e fuqishme duke u përplasur me godinën e një gazete. Disa nga pjesët e shtetit të Floridas po presin sasi reshjesh shiu të jashtëzakonshme të pandodhura në 100 vitet e fundit.

Pavarësisht se uragani Milton po lëviz drejt oqeanit Atlantik, forca e uraganit pitet të sjellë dëme të tjera të konsiderueshme.