“Vajza ime është me leuçemi… s’paska më keq se të rritësh një fëmijë e të të ikë nga duart”

Prej 20 vitesh Marigleni punoi maleve për të mbledhur dhe shitur dru. Ia del mezi, mban frymën e vet dhe të fëmijëve të tij. Por ajo që i ka ndodhur këtij babai, është momenti më i vështirë, më i errët i jetës së tij.

Vajza e tij Leandra, është prekur nga leuçemia akute. Sëmundja e rëndë ia ka drobitur shpirtin këtij babai. Kur ai flet për të bijën e mbysin menjëherë lotët, ndërsa zëri i dridhet.

Kujton fragmentet e lumtura me të bijën në mendje dhe mandej përplaset me realitetin e hidhur. Vajza e tij ndodhet e shtruar në spital prej 10 ditësh, po vuan dhe po rrezikon jetën.

Tepër të dhimbshme fjalët që i burojnë nga zemra këtij babai, një zemër e thyer në mijëra copa.

“S’ka më keq se të rritësh një fëmijë, ta bësh 7 vjeç… e të të ikë nga duart. Vajza vuan nga një sëmundje shumë e keqe, nga leuçemia akute… nuk ka më keq për prindin sesa të dëgjojë këtë për fëmijën”-thotë babai i 7 vjeçares.

Leandra ka nevojë për kurim urgjent jashtë shtetit. Mjekët kanë thënë se shpresat janë të mëdha për të, por sëmundja e vogëlushes kërkon trajtim të specializuar. Nëna e babai i Leandrës i përgjërohen për ndihmë shqiptarëve, pasi ata të vetëm, nuk munden kurrsesi të përballojnë kostot tepër të larta të kurimit të Leandrës.