“Vajza jem, të gjithë shqiptarët janë me ty” Rrëfimi prekës i babait, e bija shpëtoi falë bamirësisë

Në emisionin “Për Shqiptarët”, në studio kanë mbërritur një nënë e një baba që pak vite më parë u përballën me një lajm të kobshëm, e bija e tyre u dianostikua me leuçemi akute.

Jasmina, vajza e madhe e Eminit e Shpresës, u dërgua në spital dhe nisi seancat e kimioterapisë. Shpresat për të në Kosovë ishin të pakta, ndërsa mjekët i sugjeruan prindërve që të gjenin mundësinë për të larguar sa më parë jashtë shtetit vajzën, pasi ajo kishte nevojë për kurim të specializuar dhe transplant.

Emisioni “Për Shqiptarët” i doli në krah kësaj familje nga Peja, duke i mundësuar përmes bamirësisë kurimin e Jasminës.

Sot falë Zotit dhe bamirësisë së shqiptarëve, Jasmina është shëndoshë e mirë. Emini dhe Shpresa, treguan mes emocioneve disa prej momenteve të vështira, si dhe dhanë lajmin se Jasmina nuk rrezikon më.

Shpresa: Për neve ishte një lajm shumë i trishtë, një lajm aq i dhimbshëm. Ne ishim të papërgatitur, të painformuar, u tretëm si të thuash, e gjithë familja shkoi në humnerë. Jasminën e rritëm me të gjithë të mirat. Ishte shumë e rëndë për ne. Por me fuqinë e Zotit, me bashkimin e të gjithë shqiptarëve, ia dolëm.

Emini: Falenderoj Zotin, dhe sebepin më të madh, një brendi shqiptar, një krenarie të shqiptarëve, siç është Fondacioni Firdeus dhe emisioni Për Shqiptarët. Ajo na ka mbajtur dhe të jeni të bindur 100%, se ajo ka qenë forca për ne e Jasminën. Kur i kam treguar Jasminës (përlotet), i kam thënë, vajza ime, të gjithë shqiptarët janë me ty.