Vajza mbeti pa nënë 2 javë pasi lindi… bamirësia e shqiptarëve mbush me shpresë babain me 4 jetimë

Ishte viti 2023 kur Manushaqja mësoi se do të bëhej nënë për herë të katërt. Gjithçka shkoi mirë me shtatzaninë dhe në fillim të këtij viti erdhi në jetë Ronda vogël. Familja e Manushaqes e Zyberit u mbulua nga gëzimi, 4 fëmijë, 2 djem e dy vajza.

Por vetëm dy javë nga ardhja në jetë e Rondës, në derën e kësaj familje do të trokiste një tragjedi e madhe. Teksa kujdesej për të bijën e vogël, veçse 2 javëshe, Manushaqja nuk ndjehet mirë. I shoqi e  dërgon me urgjencë në spital, ndërsa mjekët i tregojnë se gjendja shëndetësore e saj ishte e rëndë. Manushaqja kishte pësuar trompozë në mushkëri. Dy orë më tutje, mjekët i njoftojnë se Manushaqja ka ndërruar jetë.

Zyberi së bashku me nënën e tij janë tanimë ata që kujdesen për fëmijët e familjes. Nëna e Zyberit ka lënë shtëpinë e saj në Peshkopi për t’u zhvendosur në kryeqytet, atje ku Zyberi jeton me qira dhe punon thuajse të gjithë ditën në punë të rënda, për të mbajtur 4 fëmijë jetimë.

Zyberi: Nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë këtë tragjedi. Isha i detyruar të mblidhja të gjitha forcat e të punoja. I them faleminderit nënës sime që kujdeset për vajzën e vogël, i them faleminderit Zotit që vajza është mirë. Nëna lodhet se është në moshë.

Elvisi: Historia e Zyberit e nënë Ferides të lë pa fjalë. Faleminderit zonjë që je këtu dhe ke bërë një vepër kaq të madhe që për atë foshnje je përkushtuar dhe sot është mes nesh. Kjo është sakrificë e madhe.

Zyberi: Natën që ndërroi jetë Manushaqja nuk e përmbaja dot as unë veten. Stafi më thoshte ke një vajzë të vogël 2 javëshe, kujdesu për të… ata nuk e dinin që unë kisha dhe 3 fëmijë tjerë. Ditën e nesërme fëmijët më pyesnin ku është mami, kush ka vdekur. Dy fëmijët e mëdhenj, Renato e Rexhina e kuptuan se nëna u ka vdekur. Ronaldo ishte i vogël, më thoshte mami ka ikur në qiell, na sheh prej atje. Dy fëmijët e mëdhenj e mbajnë në zemër nënën, kurse i vogli thotë edhe unë do të shkoj në qiell të takojmë mamin… tani unë kam një vajzë të vogël, është veçse 8 muajshe. I ngjan Manushaqes… Unë do t’ja përkushtoj jetën asaj dhe fëmijëve të tjerë, kaq di të them.

Por duket se sprovat për këtë familje nuk kanë të përfunduar. Veç vështirësive të mëdha ekonomike, djali i madh i familjes Renato, ka shfaqur probleme serioze me veshkat.

Elvis Naçi dha një lajm të mrekullueshëm nga studio e emisionit “Për Shqiptarët” se Fondacioni Firdeus e ka marrë përsipër ndjekjen e kurimin e Renatos së vogël.

Elvisi: Ne kemi qëndruar afër familjes së Zyberit dhe jemi përpjekur për të bërë më të mirën për Renaton, për një pension për familjen. Për Renaton ne kemi lajme të mira, sepse ne e dërguam në mënyrë urgjente në Bambino Gesu. Gjatë kurimit e dhënies së ilaçeve atje, mjekët na dhanë garancinë atje se është në shëndet të plotë, nuk ka asnjë rrezik. Ne e dërguam për kurim me idenë se ishte në rrezik. Jemi krenarë që pavarësisht se Zyberi është me shumë halle, ne mundëm t’ja dërgojmë djalin në një prej spitaleve më të mira në Europë.

Renato erdhi në studio së bashku me motrën Rexhinën e vëllain Ronaldon, atje ku u gëzua me disa surpriza të bukura.

Përtej gëzimit të fëmijëve, familja e Zyberit jeton në vështirësi të mëdha. Babai me fëmijët e prindërit jetojnë me një rrogë të vetme në një banesë me qira. E vetmja që mungon në këtë ‘mbledhje të familjes’ në studion e “Për Shqiptarët” është vajza e vogël, Ronda. Zyberi me fëmijët ende nuk e dinë se i pret një lajm i madh dhe i gëzueshëm.

Elvisi: Sado e errët të ketë qenë nata Zyber, shpresojmë që në mëngjes do të dalë dielli, do të shkëlqejë. Jeta juaj në mënyrë graduale sepse e meritoni, do të bëhet pranverë. Renato më jep dorën mua, Zyber çohuni të gjithë se do të shkojmë këtu, tek ky buton, që quhet butoni i shqiptarëve.

Shtype këtë buton, ta gëzoni shtëpinë e re…

Marina: Zyber, vizitorët e parë kanë hyrë tanimë në shtëpinë tuaj të re.

Në shtëpinë e re të familjes ndodhet Fatma Naçi e cila mban në krahë Rondën e vogël. Është kjo vogëlushe e cila ka hyrë për herë të parë në shtëpinë e saj të re, një shtëpi që vjen si dhuratë falë bamirësve shqiptarë