Një alpinist nga Kosova ka humbur jetën këtë të premte në zonën e njohur si “Maja e Thatë” mbi Valbonë. Alpinisti është rrëzuar nga një lartësi e konsiderueshme në një terren mjaft të thepisur e shkëmbor në malësinë e Valbonës.
Pas marrjes së njoftimit, oficerët e policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes, së bashku me grupin e emergjencave civile të Tropojës. Për shkak të pamundësisë për të mbërritur në zonën e thepisur, është kërkuar ndërhyrja e helikopterit për të tërhequr trupin e alpinisti.
Njoftimi i policisë/ Tropojë
Më datë 26.07.2024, rreth orës 17:10, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se 1 shtetas kosovar, në vendin e quajtur “Maja e Thatë”, Valbonë, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rënë nga një lartësi dhe dyshohet se ka humbur jetën.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur drejt adresës së dhënë, së bashku me grupin e Emergjencave Civile të Tropojës.
Për shkak të terrenit të thepisur malor është kërkuar ndërhyrja me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e pajetë të shtetasit kosovar nga zona ku ka rënë.