Vau i Dejës: 54 vjeçari tenton të qëllojë me armë mbi qenin endacak, por lëndon aksidentalisht një person

Një 54 vjeçar në fshatin Naraç të Vaut të Dejës është ndaluar e proceduar penalisht nga policia, pasi ka qëlluar aksidentalisht me armë gjahu një tjetër person.

Burri kishte tentuar të vriste me armë një qen endacak. 54 vjeçari ka qëlluar por në vend të qenit, ka lënduar një tjetër person. Ky i fundit është dërguar në spital dhe pas mjekimit, është larguar në banesë, fatmirësisht pa lëndime serioze.

 “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vau Dejes referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë 54 vjeçari, banues në fshatin Naraç, Vau i Dejës, sepse gjatë tentativës për të vrarë me armë gjahu, një kafshë endacake (qen), ka dëmtuar aksidentalisht, një shtetas, i cili pasi ka marrë ndihmë mjekësore, është larguar në banesë” –njoftoi policia e Shkodrës.