Vdekja e mistershme e shqiptarit në Spanjë, 30 vjeçari braktiset në dyert e spitalit me plagë të rënda

Një 30 vjeçar shqiptar ndërroi jetë në Spanjë, pasi u la në dyert e spitalit në Girona me plagë në bark dhe në gjendje të arrestit kardiak e pulmonar.

“El Pais” shkruan se ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, kohë në të cilën një makinë lë në dyert e spitalit të urgjencës 30 vjeçarin dhe largohet me shpejtësi.

Tanimë hetuesit kanë mundur të zbulojnë identitetin e viktimës dhe personit që e solli atë në spital me makinë, duke parë në kamerat e sigurisë targën e automjetit. Hetuesit po mundohen të rindërtojnë se çfarë ka ndodhur në orët e fundit të jetës së 30 vjeçarit.

Një infermiere dhe një mjek që ndodheshin pranë dyerve e panë të riun dhe e dërguan me shpejtësi në sallë për të bërë të mundur rianimimin e 30 vjeçarit. Pavarësisht përpjekjeve që zgjatën për afro 45 minuta, shtetasi shqiptar humbi jetën.

El Pais i referohet burimeve të ‘Trueta’ e cila shkroi se 30 vjeçari shqiptar kishte ardhur i vdekur në dyert e spitalit. Policia deri më tani ka zbuluar identitetin e pronarit të makinës, një shqiptar i cili jeton në Maresme dhe La Selva. Autoritetet e kanë marrë në pyetje këtë të fundit.