Vdekja tragjike e Jonada Avdiut, prokuroria përfundon hetimet: 9 persona përballë drejtësisë

Më 2 gusht të vitit të kaluar, rreth orës 14:00, një vajzë 7 vjeçare do të largohej nga kjo botë padrejtësisht dhe në mënyrë makabre. Jonada Avdiu po lahej në bregdetin e Potamit në Himarë, kur një skaf nën drejtimin e Arjan Tases, do ta qëllonte për vdekje vogëlushen.

Thuajse 1 vit nga ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik, Prokuroria e Vlorës ka njoftuar se ka përfunduar hetimet. Me drejtësinë do të përballen 9 persona.

I akuzuari kryesor mbetet Arjan Tase, drejtuesi i skafit që goditi Jonadën dhe ish shef policie në Drejtorinë e Policisë në Elbasan. Tase do të përballet me akuzën e “vrasjes me dashje” (në mënyrë indirekte), ndërsa veprimet e tij dhe moszbatimi i rregulloreve më bazike të sigurisë në lundrim, i sollën vdekjen 7 vjeçares. Tase rrezikon deri në 15 vite burgim.

Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues shtetasit A.T., të zonës së përcaktuar (kufizuar) për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit.”-njoftoi prokuroria.

Veç Tases, për “shpërdorim detyre” janë akuzuar 8 persona, më konkretisht:

“F.M., me detyrë shef i sektorit të kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës “parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

N. B., me detyrë shef stacioni në Stacionin e Policisë Kufitare, Dhërmi, në sektorin e kufirit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

L. A.,  B.M. dhe K.H., me detyrë trupa shërbimi në mjetin lundrues BP06, të ngarkuar me kotrollin e vijës bregdetare në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

A. D. me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shperdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; dhe

B. A. dhe A.B.,  me detyrë përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake në Bashkinë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal si punonjës që kanë kryer kontrolle periodike në vendin e ngjarjes”, njoftoi prokuroria.