“Vdekjen e vajzës e morëm vesh në lajme” Flasin prindërit e Anilës, 26 vjeçarja që humbi jetën tragjikisht në Itali

“Tradita e dikton që familja të bashkohet në ditë gëzimi apo zie, për të gjetur mbështetje me njëri- tjetrin. Të afërmit mbërrijnë pjesë-pjesë nga Marche, Friuli dhe Lombardia. Ata nxitojnë në rrugët e ngushta të Miane (Treviso), duke mbajtur çanta të mbushura plot dhe hyjnë në shtëpinë e prindërve të Anila Grishajt, e cila vdiq e shtypur nga një makineri e drejtuar gabimisht nga një koleg. Ata shtrëngohen duke përqafuar nënën, babanë dhe vëllezërit e tyre, të cilët janë ende të tronditur. Të dëshpëruar, sepse humbja e një vajze kaq të re dhe kaq të dashur nuk gjen shpjegim”

Kështu shkruan “Corriere” në një artikull dedikuar vdekjes tragjike të Anila Grishajt, 26 vjeçares shqiptare e cila humbi jetën në punë. Media italiane ka folur me prindërit e të afërmit e të ndjerës, të cilët tregojnë mes lotëve se lajmin e kanë marrë vesh jo të parët, por të fundit.

Familjarët: E morëm vesh lajmin në portalet e lajmeve

Të martën në mbrëmje nëna e Anilës po përgatiste ushqimin. Kishte gatuar peshk dhe po shtronte për të pritur në tavolinë të gjithë familjen. Të gjithë ishin në shtëpi, po prisnin Anilën, por ajo nuk erdhi kurrë.

“Ne ishim të fundit që e morëm vesh, një turp i madh, ne duhet të ishim të parët. Lajmin e morëm vesh nëpër portale, sepse për më shumë se dy orë  nuk na thanë asgjë”-thotë motra e madhe e Anilës, fytyra e të cilës është e drobitur nga dhimbja.

“Ne duam drejtësi, duam shpjegime për atë çka ka ndodhur” –thotë një kushëri i të ndjerës për Corrieren.

Si ndodhi ngjarja

Në punën e saj, Anila ishte përgjegjëse e një linje të kompanisë që merrej me produkte ushqimore të ngrira. 26 vjeçarja po monitoronte punën dhe sesi po funksiononte nje makineri paketimi e mbërritur 5 muaj më parë. Me t’u mbaruar operacioni (puna e krahut të makinerisë), Anila është afruar për të kontrolluar e në këtë moment besohet se një tjetër punëtor (duke mos e parë 26 vjeçaren) ka rindezur makinerinë e cila ka goditur për vdekje të ndjerën. Si pasojë e goditjes në pjesën e kokës, Corriere shkruan se e ndjera ka thyer vertebrat e qafës.

Burimi: Corriere/ Përshtati me disa shkurtime: Fch.al