Vdiq dy ditë pas ndërhyrjes tek dentisti në Tiranë, zbardhet ekspertiza mjeko-ligjore për 3 vjeçarin

3 vjeçari B. Spahiu i cili humbi jetën në spital pas një ndërhyrje kirurgjikale për dhëmbët në klinikën e mjekut Roland Xhaxho, ka humbur jetën si pasojë e anestezisë, që rezulton të ketë sjellë insufiçencë në disa organe.

Kështu të paktën konkludon ekspertiza mjeko-ligjore e kryer mbi të ndjerin.

“Shkaku i vdekjes së shtetasit B.S ka qenë dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thelle me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme.”-thuhet në ekspertizë.

3 vjeçari u dërgua nga familjarët më datë 28 shtator në klinikë për rregullimin e dhëmbëve. Ndërhyrja u krye atje me anestezi totale dhe ka zgjatur disa orë (pasi duheshin kuruar mbi 10 dhëmbë). Në orët e mbrëmjes fëmija ka shfaqur komplikacione dhe pas shtrimit në spital, ka humbur jetën dy ditë më pas në QSUT.

Pjesë nga ekspertiza mjeko-ligjore

Në trupin e kufomës së shtetasit B.Spahiu nga kqyrja e jashtme u konstatua një mbetje plage kirurgjikale në lëkurën e gjoksit, si edhe shenja shpimesh mjekësore me ekimoza përreth tyre në lëkurën e ballit, gjoksit, barkut dhe gjymtyrëve me karakteristikat e pershkuara në akt. Nga kqyrja e brendeshme dhe ekzaminimi histopatologjik u konstatua edeme e shprehur e trurit, stazë dhe ekstravazat eritrocitar, ishemi akute miokardi, edeme intersticiale dhe ekstravazat eritrocitar me miokard die perikard. Atelektaz e shprehur pulmonare, ekstravazat eritrocitar intersticial me elemente mononukleare, me zona pneumoragjie intersticiale, edeme e mushkërive. Nekrozë centrolobulare hepatike. Me ekstravazatë eritrocitare, elementë dhe infiltrate mononukleare të shprehur në hapësirën porto-biliare, edeme intersticiumi. Infiltrim hemoragjik i cipave seroze. Prania e gjakut të lëngshëm dhe koagulave në zgavrën e barkut.

2-Shenjat e shpimeve mjekësore me ekimoza përreth tyre, të vërejtura në trupin e shtetasit B.Spahiu janë pasojë e manipulimeve mjekësore. Mbetja e vjetër e plagës e vërejtur në lëkuren e gjoksit është pasojë e ndërhyrjes kirurgjikale.

3-Shkaku i vdekjes së shtetasit B.S ka qenë dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thelle me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme.