Veliera e tij u gjend e braktisur në brigjet e Kavajës, misteri i zhdukjes së gjermanit, flet i biri

Pasditen e të enjtes në brigjet e plazhit të Karpenit në Kavajë, u gjend një velierë e braktisur në brendësi të së cilës u gjetën nga autoritetet mes të tjerash një pistoletë me disa fishekë.

Por raportimet e para për një ngjarje të mundshme kriminale, janë larg pistës së hetimit të deritanishëm. Në brendësi të mjetit lundrues u zbulua dhe një pasaportë gjermane, me gjeneralitetet Fellmann Rudiger, një shtetas gjerman me vendlindje Leipzigun.

Pas verifikimeve, rezulton se veliera është nisur nga veriu i Barit (Itali) më 9 shtator, me destinacion Kroacinë. Duket se diçka nuk ka shkuar mirë për shtetasin gjerman, i cili është zhdukur.

Lëvizjet e mjetit kanë qenë të çrregullta dhe të pakomanduara në lundrim, sipas verifikimeve të kryera deri më tani me anë të sistemeve GPS.

Autoritetet shqiptare kanë folur me djalin e shtetasit gjerman. I biri i 85 vjeçarit ka treguar se ka ditë që nuk ka kontaktuar me babain. I pyetur për armën e gjetur, ai ka shpjeguar se babai e ka me leje atë dhe e merrte gjithmonë me vete kur shkonte për lundrim.

Në kontakt me autoritetet janë dhe zyrtarët e Interpol, për të mësuar informacione të mëtejshme nëse ka patur të tjerë persona në bord me shtetasin gjerman.

Veç armës e pasaportës së të moshuarit, në bord u gjetën 2 telefona celularë dhe një laptop.