Vëllai i merr jetën vëllait në Prishtinë, detajet që dihen deri më tani

Një ngjarje tragjike ndodhi mbrëmjen e të dielës në Prishtinë, ku një përleshje mes dy vëllezëve përfundoi me vdekje.

I dyshuari Gent Myftari goditi për vdekje me thikë vëllain e tij, Auron Myftarin në afërsi të banesës së familjes, në rrugën ‘Tirana’.

Vendi ku ndodhi krimi

Motivet e ngjarjes mbeten ende mister.

Hetimet kanë nisur nga policia e cila në koordinim me prokurorinë e kryeqytetit vijon të punojë për të zbardhur ngjarjen. Autori dyshuar është arrestuar. Siç shkruajnë media në Kosovë, autori i dyshuar ka qenë nxënës i shkëlqyer dhe ka studiuar jashtë shtetit me bursë të plotë.

Prokuroria dha këtë njoftim mbi rastin:

“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia.

Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rëndë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një (1) person.”

Viktima e autori rezulton të jenë vëllezër të regjisorit të njohur Agon Myftarit, i cili përmes një njoftimi në rrjetin social tha se rrethanat po hetohen.

“Me dhimbje të thellë e me zemër të thyer, ju njoftojmë se djali e vëllau jonë, Auron (Hazir) Myftari, në rrethana tragjike, mbrëmë ka humbur jetën. Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në varrezat e qytetit në Arbëri. Për detajet e sakta rreth varrimit, do të njoftoheni me kohë. Rrethanat që kanë dërguar në humbjen e parakohshme të jetës së Auronit, janë duke u hetuar nga policia. Prandaj, kërkojmë mirëkuptim që të mos spekulohet deri sa organet e rendit ta japin versionin e tyre për ngjarjen tragjike”, ka shkruar Myftari në rrjete sociale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet të kërkojë 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit.