“Vëllanë nuk ma rikthen dot askush,u shua në krahët e mi” Flet vëllai i 23 vjeçarit që humbi jetën në Ankona të Italisë

Xhuliano Bitri është 18 vjeçar, vëllai i 23 vjeçarit që ndërroi jetë tragjikisht në Sirolo, teksa tentonte të ndalonte sherrin mes dy personave. Media italiane ka zbardhur detaje të tjera të ngjarjes tragjike, përmes rrëfimit të vëllait të viktimës.

Xhuliano tregoi në një intervistë ‘Il Resto del Carlino’ se i vëllai i shkoi në ndihmë një të njohuri të tij, i cili po goditej nga një 27 vjeçar me origjinë algjeriane, personi që më tutje qëlloi me pushkë peshkimi të vëllanë.

“Nuk është e mundur,… nuk është e mundur. Vëllanë tim nuk ma sjell më dot askush”-thotë 18 vjeçari me një fije zëri.

Vëllai i Klajdit kujton sesi dikur kur ai merrte rrogë veçse 500 euro, të paktën 300 i ruante për të vëllanë.

“Donte që të vija të jetoja me të këtu në Ankona, që së bashku të ngrinim të ardhmen tonë. Ai ishte pika ime e referimit, nuk e mendoj dot sesa shumë do të më mungojë”-vijon më tutje në rrëfimin e tij Xhuliano.

Më poshtë intervista e të riut për median italiane

Xhuliano, çfarë ju kujtohet?

Po e nis nga fillimi. Isha me vëllain, po hanim një drekë në një restorant. Me ne ishte dhe Danilo e familja e tij, e shoqja dhe dy fëmijët e vegjël. Veç tyre dhe kushëriri I Danilos, që udhëtonte në makinë me ne.

Danilo është babai i cili u sulmua nga I riu algjerian?

Pikërisht ai. Danilo ka bërë shumë për familjen tonë. Ai e ndihmoi Klajdin sapo erdhi në Itali, duke I gjetur punë në kuzhinën e restorantit të tij. Ishte puna e parë e tim vëllai në Itali, ajo që i dha mundësinë të kursente para, për të gjetur një shtëpi. E në një moment të dytë, ajo punë i dha mundësinë që të më merrte dhe mua në Itali. Kemi raport të mirë me të dhe kishim dalë për një drekë. Kurrë nuk e mendonim se do të ndodhte ajo që ndodhi.

Na thoni, nëse mundeni.

Pas drekës në një local në Sirolo lëvizëm. Danilo ishte në makinë me të shoqen e fëmijët, ne tek makina tjetër. Në një moment mbërrijnë më rotondon në rrugën Cilea e makina e Danilos aty ndalon. Në atë moment ne afrohemi me makinën tonë dhe shohim vrasësin që po i drejtohej makinës së Danilos me njëfarë kërcënimi. Bërtiste, bërtiste shumë dhe në atë moment nis ta godasë me grushte. Vëllai im doli menjëherë për t’i shkuar në ndihmë.

Më pas çfarë ndodhi?

Kur vëllai mbërriti atje i tha atij “ndalo, a e kupton se çfarë po bën? Ka në makinë një grua dhe dy fëmijë, ik prej këtu”. Atje pastaj shkova dhe unë. Tentuan ta ndalojmë. I thamë se ‘ke të dashurën në makinën tënde, çfarë po bën?”. Ai në atë moment u largua, sikur për të hypur në makinën e tij e për të ikur.

Por në realitet bëri tjetër gjë…

Nuk hyri në anën e shoferit, por shkoi të hapë bagazhin dhe prej aty mori diçka. I bërtita tim vëllai, ‘fshihu se ka armë’. Unë arrita të fshihem pas një makine, por im vëlla nuk mundi të fshihej në tokë. Tre metra larg nesh, ai qëlloi me pushkën e peshkimit… Klajdi vdiq në krahët e mi.

Çfarë ju kujtohet në ato momente…

Kujtoj dy momente. Atë (autorin) që po largohej, duke kuptuar tanimë se çfarë kishte bërë… dhe tim vëlla në këmbë kur ngrita kokën nga makina (ku po fshihej). Vëllai nuk ishte mirë. Ra në tokë. Tentova fillimisht t’I heq shtizën nga gjoksi, por…

Tani, çfarë kërkoni?

Unë dua drejtësi. Jo vetëm për vrasjen e tim vëllai, por edhe për atë vajzën e cila pa gjithë çfarë ndodhi dhe e ndihmoi atë (autorin) të arratisej. Ai iku me vrap, ajo e  mori pastaj me makinë.

Klajdi vdiq duke ndihmuar të tjerët… siç bënte me mua dhe familjen tonë duke na ndihmuar.

Po prindërit tuaj…?

Janë në Shqipëri e fatkeqësisht nuk e di nëse do të mund të vijnë dot këtu. Duhet të bëj të gjitha letrat për të sjellë trupin e Klajdit në shtëpi. Për ta dërguar që ta shohin për herë të fundit, mami e babi.

Burimi: Il Resto del Carlino/ Pështati: FCH.al