Me rrudhat që i skalisin fytyrën e me lotët që udhëtojnë në fytyrën e saj, kjo nënë e moshuar tregon të fundit momente të të bijës 32 vjeçe, e cila iku nga kjo botë duke lënë pas dy djem të vegjël.
Në rrëfimin e saj drithërues për emisionin “Për Shqiptarët”, gjyshe Farija rrëfen se Fatimja u shtrua me urgjencë në spital pasi metastazat e tumorit e rrëzuan përfundimisht në tokë. Duke parë moshën e re të Fatimes, mjekët në Itali vendosën të kryejnë çmos në sallën e operimit për t’i shpëtuar jetën nënës së dy fëmijëve. Pas disa orëve operim, Fatimja doli nga salla në gjendje të pandërgjegjshme e ashtu qëndroi për dy ditë me radhë.



Në momentet e fundit të saj, dy vëllezërit u lejuan t’i afrohen. Me lotët, drithërimat e thirrjet për të motrën, dy vëllezërit u bënë dëshmitarët e lotëve të fundit të Fatimes.
E këto çaste të dhimbshme, janë ende si një thikë në shpirtin e trazuar të gjyshe Farijes. Ajo i rrëfen këto momente me lotët që nuk i ndalojnë.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. E kanë futur në thikë, e kanë lënë 48 orë pa ndërgjegje. E kur ka ardhur puna, nuk ka mujt. I kanë qenë dy vellezërit tek koka. Më thanë veç i panë shkuar një palë lotë dhe dha shpirt (qan).
Unë rrija me shpresën se po vjen… por kur vjen puna, ajo erdhi si erdhi, ma prunë në arkivol (qan). Kur ma prunë, ishte dita më e tmerrshme. E prej asaj dite më tmerr (qan) u lodh, i erdhi minuti me vdek (qan).”-thotë e moshuara me zërin që i dridhet.