“Poshtë ujërave të kristalta të ‘Perlës së Ballkanit’ (Liqenit të Ohrit), arkeologët kanë zbuluar atë që mund të jetë vendbanimi më i lashtë i Europës, ndërsa puna vijon për të zbërthyer misterin pas një fortese të rrethuar në gardhe mbrojtës”
Kështu shkruan agjencia franceze e lajmeve (AFP), në një artikull të fundit botuar në lidhje me vendbanimin e zbuluar në Lin të Pogradecit, i datuar me radiokarbon në vitet 5800-600 para erës sonë (8 mijë vjeçar).

Së fundmi, arkeologët kanë zbuluar mijëra e mijëra copa druri, që dikur kanë shërbyer si hunj me majë e kanë përbërë një element mjaft interesant të këtij vendbanimi parahistorik. Arkeologët tanimë kanë të dhëna se vendbanimi, ka qenë i fortifikuar me gardhe mbrojtëse (shkopa e drunj të gdhendur me maja të mprehta)
Vendbanimi besohet të ketë qenë shtëpi për 200 deri në 500 persona, me shtëpi të ndërtuara me pilota druri mbi sipërfaqen e liqenit.
Zbulimi mbi fortifikimet është kryer gjatë zhytjeve të fundit, të cilat kanë nxjerrë në pah një tjetër mister interesant.
“Për të mbrojtur veten në këtë mënyrë, atyre u është dashur të presin një pyll të tërë”-tha arkeologu zviceran Albert Hafner, drejtuesi i ekspeditës.
Por cila është arsyeja që banorët e këtij vendbanimi krijuan një fortifikim kaq të kushtueshëm e të vështirë për të ruajtur veten?
Arkeologët ende nuk e dinë sesi t’i përgjigjen pyetjes. Nga të dhënat e deritanishme, studiuesit mendojnë se ka patur afro 100,000 hunj që kanë shërbyer si fortifikim.
“Një thesar i vërtetë për t’u studiuar”- shtoi më tutje arkeologu ziveran, ndërsa shumë prej mbetjeve drusore i përkasin pemës së lisit.

Analiza e unazave të pemëve i ka ndihmuar studiuesit të rikonstruktojnë jetën e përditshme të banorëve të kësaj zone, duke dhënë “një vështrim të vlefshëm për klimën dhe kushtet mjedisore në të cilët kanë jetuar”-shtoi arkeologu shqiptar Adrian Anastasi.
“Lisi është si një orë zvicerane, shumë precize, si një kalendar”-tha arkeologu zviceran Hafner, ndërsa Anastasi shtoi se “për të kuptuar strukturën e këtij vendbanimi parahistorik pa e dëmtuar atë, ne po bëjmë gërmime të kujdesshme, duke lëvizur ngadalë dhe me shumë kujdes”
Drejtuesi i ekipit të arkeologëve shqiptarë Anastasi tha se ndërtimi i një kompleksi të tillë, ka qenë mjaft i ndërlikuar.
“Ndërtimi i një fshati me banesa të ngritura mbi pilota ka qenë një punë komplekse, mjaft e ndërlikuar, e vështirë dhe ajo që është e rëndësishme për t’u kuptuar, është përse këta njerëz vendosën të marrin këtë vendim”-tha Anastasi.
Deri më tani, shkencëtarët thonë se është e arsyeshme të mendohet se zona ka mbijetuar falë agrikulturës dhe gjësë së gjallë.
“Kemi gjetur fara të ndryshme, bimë dhe kocka të kafshëve të egra por edhe atyre të shtëpiakëzuara”-tha Ilir Gjepali, profesor i arkeologjisë i cili po ashtu punon në zonën arkeologjike atje.
AFP shkruan në artikull, se sipas arkeologëve do të duhen afro 2 dekada punë që zona atje të eksplorohet e studiohet në thellësi, për të dalë kësisoj në konkluzione përfundimtare.
Anastasi shton se me çdo zhytje që kryhet, vijnë informacione të reja e të dhëna me rëndësi, duke bërë që ekipi arkeologëve të mund të bashkojë pikat për të kuptuar një strukturë 8 mijë vjeçare.
“Kjo zonë është një vend parahistorik që ka interes jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Europën jugperëndimore”-përfundoi arkeologu zviceran Hafner.
Burimi: AFP/ Përshtati: FCH.al