UEFA ka marrë këtë të mërkurë vendimin për ndeshjen e ndërprerë në minutat e fundit mes Rumanisë e Kosovës, një ndeshje e cila është vendosur t’i jepet në tavolinë rumunëve me rezultatin 3-0.
Futbollistët e kombëtares së dardanëve dolën nga fusha gjatë ndeshjes së javës së kaluar, fill pas thirrjeve e koreve raciste të tifozerisë vendase, e cila nisi të bërtasë “Serbia, Serbia” si dhe “Kosova është Serbi”.
Pavarësisht kësaj, UEFA ka gjykuar se vendimi i kombëtares së Kosovës për të mos u rikthyer më në fushë, bën fajtore palën kosovare për mosbindje të urdhrit të arbitrit të ndeshjes.
Veç rezultatit të ndeshjes në dëm të kombëtares së Kosovës, UEFA gjithashtu ka gjobitur të dyja skuadrat. Federata e Futbollit të Kosovës u gjobit me 6 mijë euro për sjellje të pahijshme të ekipit kombëtar.
Federata Rumune nga ana tjetër mori gjoba të shumta me një vlerë prej 128 mijë eurosh. Ndër masat e ndëshkimit me gjobë, UEFA radhit:
-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 50,000 euro dhe të urdhërojë mbylljen e stadiumit të Federatës Rumune të Futbollit gjatë (1) ndeshjes së ardhshme në të cilën Federata Rumune e Futbollit do të luajë si shoqatë mikpritëse, për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të mbështetësve të saj ( në lidhje me thirrjet ksenofobike antihungareze).
-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 30,000 euro për transmetimin e mesazheve provokuese politike të papërshtatshme për një ngjarje sportive.
-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 9000 euro për hedhjen e sendeve.
-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 4500 euro për ndezjen e fishekzjarreve.
-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 8000 euro për përdorimin e lazerëve.
-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 12500 euro për shkak të trazirës gjatë himnit kombëtar.
-Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 14 mijë euro për bllokimin e rrugëve publike.
-Të paralajmërojë Federatën Rumune të Futbollit për sjelljen e pahijshme të ekipit të saj.