Vetëdorëzohet në polici shqiptari, luftëtar MMA-je: Javën e kaluar bëri për reanimacion një 36 vjeçar

Media greke ka raportuar për rastin e një shqiptari (luftëtar në artet marciale mikse-MMA) i cili është vetëdorëzuar në policinë e Elefsina, një javë pas një sherri që kishte patur me një 36 vjeçar. Ky i fundit, i quajtur Thanos Adam, përfundoi në reanimacion pas përplasjes fizike dhe ndodhet i intubuar në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ngjarja ndodhi të premten e kaluar, teksa 36 vjeçari pa makinën ku udhëtonin dy persona e cila po kalonte kundravajtje. I riu u ka thënë se nuk mund të kalonin dhe në këto momente ka nisur përplasja. Luftëtari i MMA-së, Migen Pepa, e ka qëlluar 36 vjeçarin, i cili ka rënë në tokë me kokë.

Thanos Adam është dërguar në urgjencë pasi një mik I tij e ka gjetur në rrugë të mbuluar në gjak dhe gjysëm të vetëdijshëm.

“E kemi kapur në kohë, pasi në të kundërt nuk do të kishte jetuar”-u shpreh doktori që po kujdeset për të riun.

Në lidhje me ngjarjen ka folur dhe babai i Migen Pepës, i cili tregoi se i biri e qëlloi 36 vjeçarin pasi ai nisi konfliktin dhe e qëlloi me shuplakë djalin.

“Djali shkoi të marrë një ilaç në farmaci dhe ajo që ndodhi tanimë ndodhi… askush nuk e dëshironte këtë. Ka kamera në zonë dhe nga ajo që është bërë publike, është veçse momenti kur djali im qëllon, pse nuk tregojnë më parë, kur ka nisur sherri? Nga ajo që kam dëgjuar, djali po kalonte në shkelje të rregullave pasi në atë zonë ka punime dhe ai nuk i kishte parë tabelat sinjalizuese… por, ai (36 vjeçari) nuk është polic trafiku. Të kishin thërritur policinë… nga ajo që më kanë thënë të gjithë, ai (Thanos) ka shkuar tek im bir dhe i ka goditur makinën. Djali i ka pranuar gabimin, ndërsa ai e ka qëlluar me shuplakë. Pastaj im biri e ka goditur me grusht. Ai ka rënë në tokë pastaj. Merrni kamerat e shikojini… po e vërtetë është se pastaj, djali ka ikur”