Vetëflijimi i 18 vjeçares në Lushnje, vjehrra në lot: Im bir nuk është fajtor, vajza bullizohej në shkollë

Më 1 shkurt në fshatin Çukas të Lushnjes, një 18 vjeçare i dha fund jetës duke pirë fostoksinë. Policia nisi hetimet dhe procedoi në gjendje të lirë të fejuarin e të resë, një 24 vjeçar. Kjo pasi dyshohet se për shkak të konflikteve në çift, e reja në kushte të rënduara psikologjike të ketë vendosur t’i japë fund jetës.

Por ndryshe thonë prindërit e 24 vjeçarit, të cilët folën për median këtë të shtunë. Ata pretendojnë se 18 vjeçarja nuk është dhunuar kurrë nga djali tyre apo familja dhe se çifti nuk ka patur asnjë sherr.

Me lot në sy, nëna e 24 vjeçarit deklaroi se gjithçka ndodhi krejt papritur, një ditë pasi vajza kishte shkuar në banesën e prindërve të saj dhe pas orarit të shkollës. Sipas saj, shkak mund të jetë bërë bullizimi në gjimnaz, ku vajza ishte studente në vitin e tretë (të fundit).

“Nuk bën asnjë vaki që të ndodhte kjo gjë nga ana e çunit. Çuni e ka mbajt në pëllëmbë të dorës, neve e kemi mbajt në pëllëmbë të dorës. Dilni edhe pyesin nëse nusja ka pasur dhunë e torturë nga ne. Nuk bën vaki, nuk janë zënë kurrë. Nusen ne e kemi peshuar. Ne 25 ditë kemi që e kemi fejuar, por nusen e kemi mbajt dhe më para në shtëpi. E nusen e kemi mbajt në shtëpi në pëllëmbe të dorës. Çuni ka punuar, vjehrri punonte, dilte e bridhte me çunin ku t’i donte qejfi. Nuk ka pasur ankesë.

Goca ka qenë e ngarkuar në shkollë. Ka ardhur në shtëpi duke qarë. Ka ardhur këtu e ka bërë gjestin. I ka thënë çuni po iki të pi një kafe në lokal, mirë i ka thënë. Kur ka ardhur e ka marrë çunin në telefon i ka thënë hajde se unë piva helmin. Më ka bërë hatanë. Vetë e ka marrë, çuni në sekondë ka ardhur.”-ka thënë vjehrra e të ndjerës.

Njëlloj pretendon dhe babai i 24 vjeçarit, i cili thotë se vajza është bullizuar në shkollë.

 “E di dhe familja e saj sa mirë e kemi mbajtur, besoj nuk do jenë në kundërshtim me këtë se po të ishin në kundërshtim mund të na e mbyllnin derën që ditën e parë atje. 99% i vjen nga shkolla, këto të dhëna i kemi deri diku. 99% i vjen nga shkolla. Edhe ditën që ka qenë në shkollë, mësuesit e mohojnë. Ajo ka qenë, e kemi të sigurt. Mund të ketë pasur këto xhelozitë e shoqeve. A ia kanë bërë kot, se ça, a qysh tek, këtë nuk e di. Por, presion në këtë shtëpi nuk ka pasur kurrë! Na thanë se ka dalë nga shkolla duke qarë. Janë të regjistruara në telefon, i tha çunit më merr tek shtëpia se ashtu kemi një biznes të vogël e ndërrohemi në orën 3, sa e solli këtu…Iku për të pirë një kafe me të vëllanë, i shkruan, ato janë të gjitha atje, hajde se unë piva kokërr. Ta kishte pasur këtë presion ajo s’do i thoshte çunit hajde më merr, janë të gjitha të shkruara. Mendoj se këto portalet të jenë më të kujdesshme se edhe po të mos e kishim nuse djali, ne ndjejmë si prindër, jemi shumë të pastër në vetvete. Se ça thonë njerëzit, njeriut i ndodhka çdo gjë”, tha vjehrri i të ndjerës.

Kushëriri i 24 vjeçarit po ashtu ka treguar për median se së bashku kanë shkuar të pinë një kafe. As 5 minuta nuk kanë kaluar, kur e ndjera sipas tij i ka dërguar mesazh të fejuarit 24 vjeçar, duke i thënë se ka pirë helm. Kushëriri i 24 vjeçarit tregon se mandej të dy kanë vrapuar drejt shtëpisë.

 “I ka shkruar mesazh, ai ishte te kafja me ne. E la në shtëpi. Punë minutash sa u ulëm, vajza i shkroi mesazh: piva fostoksinë. Ky i shkroi: mos guxo dhe u nisëm me vrap për të ardhur se ishim në këmbë. Vajza ishte këtu, e solli nga shtëpia. Po bënim muhabet po qeshnim. Vajza sa ikëm ne te lokali, punë dy minutash, i shkruan mesazh burrit që piva fostoksinë”, tregon kushëriri i burrit.