“Vetëm rrugën e spitaleve njeh ime bijë” Nëna në lot: Ëngjëlli im nuk mbushet me frymë, Zotit i lutem t’mos ma marrë

“Tani një vit që jemi vetëm nëpër spitale, asnjë gjë më shumë, vetëm këtë rrugë. Që 4 muajshe është sëmurë, nuk kemi asnjë shpresë për të. Vajza është shumë e vogël, është veçse 14 muajshe. Dy tre javë ka qenë në reanimacion. Nuk mundet të mbushet me frymë. Rri gjithë kohën duke qarë.”

Këto janë fjalët e një nëne nga Shkodra, e quajtur Lindita. E drobitur nga vuajtjet që i kanë parë sytë dhe ndjerë thellësia e shpirtit, Lindita gjen qetësi tek lotët e saj e tek lutjet që i drejton Zotit. Prej mëse një viti tashmë, Lindita endet nëpër spitalet e Shkodrës e Tiranës për të bijën 14 muajshe, Anxhelën e vogël. E prekur nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, Anxhela rrezikon të humbë jetën. Lindita shikon e dëshpëruar dhe e dorëzuar, sesi lotët e të bijës nuk kanë mbarim. Lindita veçse mundet t’ja fshijë lotët ëngjëllit të saj, sepse mundësitë për tja siguruar shpëtimin e jetës së bijës nuk i ka.

“Për një nënë është shumë e vështirë që ta shohë fëmijën në atë gjendje… po i vdes dhe s’ke çfarë t’i bësh… inshallah do Zoti jo (qan). Ju lutem vetëm të më ndihmoni, vajza ime është veçse 14 muajshe, që të mos më ikë nga duart.”-thotë mes lotëve Lindita.

Anxhela ka nevojë urgjente për t’u dërguar për kurim të specializuar jashtë shtetit. Mjekët i kanë thënë familjes se nëse vogëlushja nuk niset për kurim jashtë shtetit, të pakta janë shanset për të.