Video, çmenduri në autostradën shqiptare… 40 vjeçari kryen manovra të rrezikshme

Një 40 vjeçar nga Tirana ka kryer disa manovra të rrezikshme me motorin e tij në autostradën Fushë Milot- Thumanë. I riu ka lënë timonin e motorit të tij teksa udhëtonte me shpejtësi të konsiderueshme, duke u bërë kësisoj rrezik për veten dhe të tjerët.

Policia ka publikuar videon

“Kreu manovër të rrezikshme me motomjet, në autostradë, rrezikoi veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, si dhe e postoi videon e manovrës në rrjete sociale, ndëshkohet me masë administrative 20 000 lekë të rinj, 40-vjeçari.

Si rezultat i veprimeve të menjëhershme procedurale, të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, pas publikimit të një video-je në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një drejtues motomjeti, duke kryer një manovër të rrezikshme për veten dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, në aksin rrugor “Fushë Milot – Thumanë”, u bë identifikimi i shtetasit D. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, si dhe ndëshkimi i tij me masë administrative 20 000 lekë të rinj, për shkelje të pikave 2 dhe 3, të nenit 139 të Kodit Rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për denoncimet dhe i fton ata që të vijojnë të denoncojnë çdo rast të paligjshmërive, në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe të paanshëm.

Gjithashtu, Policia Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve. “-njoftoi policia.