Video prekëse, nëna përqafon vajzën që ka zemrën e djalit të saj të ndjerë

Brazil, tetor 2023. Vogëlushja që po mban në duar buqetën me lule, quhet Lala. Ajo po pret së bashku me motrën, babain e nënën e saj, ardhjen e një familje tjetër, e cila ia ndryshoi jetën vogëlushes.

Pak muaj më parë Lala ishte në spital, në gjendje tepër të rëndë e në pritje të një transplanti zemre. Transplanti u krye dhe ishte pikërisht falë mirësisë së familjes që Lala po pret.

Vjen momenti dhe familja Lamim mbërrin. Një grua e përqafon fort Lalën dhe nis të derdhë lot.

Kjo grua është një nënë, e cila ka humbur të birin. E po kjo nënë së bashku me të shoqin, vendosën të dhurojnë organet e djalit, i quajtur Joao Pedro. Nëna e quajtur Jessica qan sepse në kraharorin e Lalës, ndodhet pikërisht zemra e djalit të saj.