VIDEO/ Shikoni fenomenin mbresëlënës të rrufeve vullkanike

Pak ditë më parë vullkani në malin Ibu në Indonezi shpërtheu dy herë brenda ditës, duke lëshuar në ajër llavë, gurë e hi vullkanik që mbuloi qiellin. Në mesin e shpërthimit të fuqishëm, shumë persona u bënë dëshmitarë të rrufeve që ‘ mbështollën’ zonën përreth llavës së dalë nga krateri.

Tre javë më parë i njëjti skenar i kapur në kamera, veçse kësaj here në një tjetër kontinent. Shumë qytetarë filmuan momentin kur vullkani del Fuego shpërtheu në Guatemala (Amerika Qendrore), ndërsa rrufetë goditën furishëm zonën përreth shpërthimit vullkanik.

Si ndodhin rrufetë vullkanike

Për të kuptuar shkaqet e këtij fenomeni që ndjell frikë e njëkohësisht mbresa, shkencëtarëve i janë dashur shumë vite. Në tërësi, rrufetë vullkanike ndodhin në dy forma. Së pari gjatë fillimit të një shpërthimit vullkanik, në prezencë të hirit që del së bashku me llavën e gurët e vullkanit. Përplasja e shpejtë dhe e furishme e grimcave të hirit me njëra- tjetrën, arrin të gjeneroje elektricitet statik të mjaftueshëm për të shkaktuar vetëtima.

Reuters

Forma e dytë e krijimit të rrufeve vullkanike ndodh në qiell, në lartësi prej 7 deri në 12 km. Ndërsa shtëllungat e hirit e avullit të ujit ngrihen lart nga forca shpërthyese e vullkanit, akulli fillon të formohet në shtresat në lartësitë më të mëdha, një proces i njohur si “ngarkimi përmes akullit”. Nga atje (në lartësi 7-12 km) rrufeja formohet në të njëjtën mënyrë siç e njohim rëndom, kristalet e akullit përplasen duke krijuar një ngarkesë elektrike të mjaftueshme për të prodhuar vetëtimën.

Reuters