Vija e zjarrit 5 km, rreth 70 ha tokë të djegura… zjarrfikësit e ushtria vijojnë luftën me flakët në Dropull

Një zjarr që nisi pasditen e djeshme në fshatin Fshatran të Dropullit ka vijuar të përhapet edhe këtë të martë, ndërsa vija e flakëve tanimë është afro 5 kilometër.

Në thuajse çdo segment të rrugës së vjetër që të çon në Delvinë ka ekipe zjarrfikësish dhe të ushtrisë, që po punojnë për të shuar vatrat e zjarrit. Flakët, të ndikuara dhe nga era, mund të rrezikojnë edhe Syrin e Kaltër.

Zjarrfikësit janë mobilizuar për të parandaluar përhapjen e flakëve në tre fshatrat Muzinë, Pecë e Kardhikaq, ndërsa pas tyre vjen zona e mbrojtur e Syrit të Kaltër.

Deri më tani, përllogaritet që hapësira e djegur të jetë rreth 70 hektarë tokë, ndërsa nga Muzina deri në fshatin Kardhikaq, vija e zjarrit është afro 5 kilometër.

Këtë mëngjes në zonën e Muzinës është angazhuar helikopteri Cougar i Ministrisë së Mbrojtjes, për t’i ardhur në ndihmë trupave në terren me shuarjen e flakëve në zonat më të vështira për të punuar.

Zjarri që nisi nga fshati Frashtan, duket se e ka një autor përgjegjës. Policia e Gjirokastrës ka identifikuar e arrestuar një 39 vjeçar, i cili akuzohet se ka ndezur zjarr në pyjet e fshatit.

 “Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në pyjet e fshatit Frashtan, në vendin e quajtur “Papasima”, kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit M. K., 39 vjeç, banues në fshatin Frashtan, Dropull. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor””, njoftoi policia.