Virxhinia: Ish-ushtaraku hidhet nga ura 15 m e lartë dhe shpëton të riun nga rrjedha lumit

Juan Serrano së bashku me të shoqen sapo kishin lënë një event bamirësie në komunitetin e tyre Petersburg (Virxhinia) të Shteteve të Bashkuara. Rrugës çifti ndaluan në një market për të blerë disa ushqime e më tutje u nisën drejt shtëpisë. Në një urë që kalon mbi lumin Appomattox, Juan vuri re një djalë të ri në moshë, i cili po ecte në cep të urës. I riu nuk dukej mirë dhe Juan vendosi të ndalojë makinën.

“Teksa i afrohesha atij djali, vura re se ai ecte i vetmuar, disi në stres, i thashë vetes mbase i duhet ndihmë. Ai nisi të afrohej tek cepi i urës. Nisa të vrapoj drejt tij dhe në atë moment ai u hodh…e pashë nga ana tjetër e urës, kishte dalë në sipërfaqe të ujit dhe po bërtiste për ndihmë. Mendova me veten, po sikur ai të ishte fëmija im… duhet ta shpëtoj. E kështu u hodha në ujë, në përpjekje për ta nxjerrë prej atje”-tregoi burri për median vendase.

Juan, ish ushtarak, u hodh në ujë prej urës e cila ishte e lartë 15 metër. Mëse 1 kilometër larg urës ku u hodh, Juan mundi të nxjerrë nga uji të riun, ndërsa rrjedha e lumit i kishte marrë me vete.

 “Mua mu duken si 5-7 minuta, por ime shoqe më tha se në ujë kam qëndruar afro 30 minuta”-kujton veterani.

Ish ushtaraku së bashku me djalin mundën të dalin në afërsi të një impianti për trajtimin e ujit. Juan kishte përdorur rripin e pantallonave dhe çantën e të riut, për ta tërhequr këtë të fundit larg rrymës së lumit e më tutje në tokë. Djali u dërgua në spital, ndërsa ish ushtaraku së bashku me të shoqen u nisën në shtëpi. I pyetur nëse veprimi I tij I duket heroic, ushtaraku tha.

“Hero është fjalë e madhe. Unë jam thjesht një njeri, isha me time shoqe duke kaluar pranë… Zoti më çoi atje për një arsye”-tha ish ushtaraku.