Vladimir Komarov: Historia e kozmonautit që ra nga hapësira në Tokë

Më 24 prill të vitit 1967, një kozmonaut i quajtur Vladimir Komarov, u bë i pari njeri që humbi jetën në hapësirë. Ishte koha e luftës së ftohtë e posaçërisht e garës së furishme që SHBA-të e Bashkimi Sovjetik kishin për arritjet e tyre në fushën e kozmologjisë e udhëtimit në hapësirë.

Bashkimi Sovjetik qau humbjen e një heroi pas dështimit të frikshëm të misionit Sojuz. Shumë thonë se Komarovi e dinte se po merrte pjesë në një mision që do të dështonte…

BBC i ka kushtuar një kronikë interesante rastit, për të hedhur dritë mbi njeriun që ra nga hapësira në Tokë.

Voshod 1 ishte anija kozmike e parë që mund të mbante tre kozmonautë. Njëri prej tyre ishte vetë shkencëtari që kishte krijuar anijen kozmike.

Një ditë pas suksesit të fluturimit, në krye të Bashkimit Sovjetik, u zgjodh Brezhnjevi. Një tjetër program hapësinor u vu në lëvizje, i quajtur “Sojuz (Soyuz) 1”.

“Ky ishte një mision i guximshëm. Do të lëshohej në orbitë një raketë me Komarovin në bord dhe mandej një e dytë me dy kozmonautë në bord. Mandej dy anijet kozmike do të bashkoheshin, në mënyrë që Komarovi të kalonte në bordin e anijes së dytë kozmike.”-shpjegoi eksperti Richard Hollingham.

Gjithsesi, teksa dita për lëshimin e raketave e anijeve kozmike mbi to erdhi pranë, u bë e dukshme se asgjë nuk ishte e kalibruar. Sojuz 1 ishte i mbushur me probleme teknike

“Sojuz1 ishte një katrahurë dhe nuk kishte asnjë shans që ajo raketë duhej lejuar të fluturonte në orbitën e Tokës. Por në atë kohë, kishte një presion të jashtëzakonshëm politik. Po afrohej 50 vjetori e revolucionit rus. E mandej sheh të njëjtën gjë edhe në SHBA, ku e njëjta po ndodhte me misionin Apollo. Kam biseduar me shumë prej inxhinierëve që kanë punuar për ‘Apollo-n’ dhe ata thonin se anija kozmike e Apollo1-it, nuk ishte gati. E pavarësisht kësaj, ata vendosën tre austronautë atje për t’i dërguar në hapësirë. Kapsula e kozmonautëve mori zjarr dhe të tre ata humbën jetën.”-tregon për BBC-në Hollingham.

Por pavarësisht të gjitha shqetësimeve, në Bashkimin Sovjetik, Sojuz1 me në bord kozmonautin Vladimir Komarov, arriti të ngrihet me sukses në hapësirë në prill të vitit 1967.

“Komarovi e dinte para se të ngrihej lart, se misioni kishte probleme serioze teknike. Kur anija kozmike mbërriti në orbitë, gjërat filluan të shkatërrohen. E me rëndësi ishte se, një nga panelet diellore që i jepte energji anijes kozmike, nuk u hap fare.”-tha Hollingham.

E me të tilla probleme teknike fatale, misioni për të nisur Sojuz2-ish anulohet nga sovjetikët, ndërsa Komarovi urdhërohet që të tentojë rikthimin në Tokë.

Imazh ilustrues, nje nga panelet diellore nuk u hap ne anijen e Komarovit/ Credit: BBC

“Fillimisht u duk sikur Komarovi do të mund të kthehej në Tokë, fill pas këtij misioni katastrofik. Por më pas edhe parashutat dështuan të hapen dhe anija kozmike me Komarovin u rrëzua në Tokë duke u përplasur. Gjasat janë se Komarovi humbi jetën gjatë rënies së anijes kozmike në atmosferën e Tokës, për shkak të forcave të rëndesës (G-force). Kur anija u përplas në Tokë, gjithçka mori flakë pasi edhe retro-motorët nuk kishin funksionuar”-shpjegon eksperti.

E fill pas kësaj tragjedie, në gazetat botërore të kohës pati një sërë spekulimesh e legjendash. Për më tepër, shikoni kronikën e postuar nga BBC-ja.