Vlorë: 55 vjeçari humb jetën pas sherrit me grushte me një tjetër person, autori arratiset

Një sherr me grushte ka përfunduar në një ngjarje tragjike në lagjen ‘Hajro Çakërri” në Vlorë, atje ku ka humbur jetën një 55 vjeçar. Viktima e identifikuar si Armando Memshani, është goditur me grushte me një tjetër person në një qendër interneti, e për pasojë ka ndërruar jetë.

Policia ka nisur kërkimet për kapjen e autorit, i cili është arratisur nga vendi i ngjarjes. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se shkak i konfliktit ka qenë një debat për çështje parash.

“Rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”, në një qendër interneti, 2 shtetas janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe gjatë konfliktit shtetasi Armando Memshani, rreth 55 vjeç, për shkak të dhunës fizike (goditjeve me grushte), ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Nga veprimet e shpejta është bërë identifikimi i autorit dhe vijon puna për kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.”-njoftoi policia.