Vlorë, gjykata lë në burg 60 vjeçarin që goditi me thikë oficerin Redin Çaushaj

I heshtur në sallën e gjyqit, 60 vjeçari Theodhori Mërkuri u la nën masën e ‘arrestit me burg’ nga Gjykata e Vlorës këtë të premte.

Mërkuri është autori i akuzuar për goditjen me thikë në qafë të inspektorit të policisë Redin Çaushaj. Efektivi i ri ishte jashtë orarit të shërbimit kur në fshatin Pilur pikasi dy persona që po konfliktoheshin.

Çaushaj shkoi të ndajë palët e të ulë gjakrat, por në atë moment u godit nga i akuzuari, Theodhori Mërkuri.

Ky i fundit u arratis, për t’u kapur disa orë më vonë nga forcat e FNSH-së, në një objekt në ish repartin ushtarak të zonës, atje ku ishte fshehur.

Çaushaj ndërkohë u dërgua me urgjencë në spitalin e Vlorës dhe pas ndërhyrjeve kirurgjikale, i riu ka dalë nga rreziku për jetën dhe fatmirësisht ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore.