Vlorë: Makina përplas të moshuarin që udhëtonte me motor, 70 vjeçari humb jetën

Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një të moshuari ka ndodhur këtë të martë në zonën e Triportit në Vlorë. Një makinë ka përplasur viktimën, një 70 vjeçar ende i paidentifikuar, i cili udhëtonte me motor. 70 vjeçari ka humbur jetën në spital pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë dot plagëve të marra.

“Vlorë/Informacion paraprak

Në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Triportit”, automjeti me drejtues shtetasin N. P. është përplasur me një motomjet me drejtues një shtetas ende të paidentifikuar, rreth 70 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi N. P., është shoqëruar në komisariat, për veprimet procedurale.

Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe për identifikimin e drejtuesit të motomjetit”, njofton policia.