Në fytyrën e saj të pafajshme janë shfaqur një sërë pullash të kuqe, shenja që tregojnë për sëmundjen e rëndë që po e dobëson dita ditës.
Leandra është veçse 7 vjeçe. Në portretin e saj gjen frikë, dhimbje e pështjellim. Ajo kupton fjalën leuçemi, por nuk e kupton që kjo sëmundje që po ‘rritet’ në trupin e saj, mund t’i marrë jetën.
Familja e Leandrës së vogël jeton në një fshat të Devollit. Jetojnë në kushte të vështira. Babai i vogëlushes për të mbajtur familjen me bukën e gojës, punon duke prerë dru. Familja mezi ia del të mbijetojë.
E tani sëmundja e vajzës, ka shkatërruar shpirtërisht nënë e babë. Leandra tretet dita ditës, ndërsa prindërit nuk kanë asnjë mundësi që t’i gjejnë shpëtim vajzës.
Fatmirësisht vogëlushja mundet të kurohet jashtë shtetit. Mjekët kanë dhënë shpresa të mëdha, por Leandra duhet të niset sa më parë për kurim të specializuar.
Të pamundur, familjarët e 7 vjeçares u luten për ndihmë njerëzve zemërmirë, që t’i japin shansin e jetës Leandrës.