Vogëlushi 4 vjeçar me zemrën e sëmurë niset për kurim falë bamirësisë së shqiptarëve

Dante 4 vjeçar buzëqesh sërish. Një buzëqeshje që nëna e babai i tij kishin mëse 1 javë që nuk e shihnin në ambientet e reanimacionit në kryeqytet, atje ku vogëlushi i tyre qëndronte i fiksuar pas aparateve që ndiqnin zemrën e tij të sëmurë.

Brenda 48 orëve, shqiptarët bamirës e mbuluan me mirësi e lutje thirrjen dëshpëruese të nënës së 4 vjeçarit, e cila kërkonte ndihmë për të dërguar djalin për kurim jashtë shtetit. 48 orë mjaftuan që fatura e madhe financiare të plotësohet falë mijëra e mijëra dhurimeve nga shqiptarë zemërmirë.

Këto janë momentet, kur Dante niset me avion sanitar drejt spitalit për fëmijë në Italinë fqinje. Dante na buzëqesh dhe ne lutemi që kjo buzëqeshje, edhe më e shndritshme dhe gjallëruese, të na mirëpresë kur 4 vjeçari të rikthehet i shëruar në atdhe.