Vogëlushi që i mbijetoi rrënojave të tërmetit në Turqi rrezikon të mbytet… një oficer hero i shpëton jetën

Teksa Turqia vuan nga pasojat e jashtëzakonshme që la tërmeti dhe vajton për mijëra jetët e humbura, një oficer policie në Malatya është kthyer në heroin e ditës falë ndërhyrjes së tij për t’i shpëtuar jetën një 8 vjeçari.

Vogëlushi i quajtur Mehmet Dogan dhe familja e tij janë një ndër të shumtët që kanë humbur shtëpinë prej tërmetit. 8 vjeçari po luante me të motrën kur lodra e tij ra aksidentalisht në liqen. Një pjesë e mirë e sipërfaqes së ujit kishte ngrirë dhe 8 vjeçari kaloi mbi të për të marrë lodrën. Në atë moment, akulli thyhet dhe fëmija zhytet në ujë.

Një oficer policie i cili ndodhej aty pranë në ndihmë të personave të prekur nga tërmeti, dëgjoi thirrjet për ndihmë nga një qytetar i cili bërtiti “ka rënë një fëmijë në ujë”.

Oficeri Adem Koksal vrapoi menjëherë dhe pa u menduar dy herë u hodh në ujë. Fatmirësisht oficeri arriti ta nxjerrë në kohë vogëlushin, pasi temperaturat e ftohta dhe sekondat në këto raste janë domethënëse.

“Kur pamë fëmijën në ujë, vrapuam dhe vepruam pa u menduar gjatë. Unë bëra vetëm detyrën time.”tregoi oficeri për Anadolu-n.