Vogëlushja nga Sllovakia humbi jetën në Gjirin e Lalëzit, arrestohet 18 vjeçari që e përplasi me makinë

Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e të dielës në rrugën Maminas-Gjiri Lalëzit, atje ku një 18 vjeçar që udhëtonte me ‘Audi’, përplasi për vdekje me makinën e tij një vajzë të vogël me origjinë nga Sllovakia.

Vajza, veçse 8 vjeçe, po përpiqej të kalonte nga njëri krah në tjetrin, në kryqëzimin e një resorti turistik. Në zonën në fjalë mungojnë trotuaret. Teksa vajza ka dalë në rrugë për të kaluar në krahun tjetër, ajo është përplasur nga 18 vjeçari. 8 vjeçarja humbi jetën në spital.

Hetimet kanë nisur për të hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes. Dyshime ka se i riu udhëtonte me shpejtësi tej normave.

Këtë të hënë policia e ka arrestuar 18 vjeçarin të cilin e akuzon për veprën “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”

“Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin G. Gj., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme, në  segmentin rrugor “Maminas – Gjiri i Lalzit”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasen S. S., 8 vjeçe, banuese në Sllovaki, e cila humbi jetën në spital” informoi të hënën policia e Durrësit.