Vorë: 34 vjeçari i goditi të vëllanë me thikë, oficeri ushtrisë i përgjigjet duke e qëlluar me armën e shërbimit

Një sherr mes tre personave mesditën e të enjtes ka shkaktuar 2 plagosje në Vorë, njëra prej të cilave ardhur nga arma e shërbimit të një oficeri të ushtrisë. Sherri ka nisur mes një 34 vjeçari të quajtur Ergest Hoxha dhe dy vëllezërve, Kidi e Ermal Muzhaqi. 34 vjeçari ka goditur me thikë njërin prej vëllezërve, 24 vjeçar. Në kundërpërgjigje, vëllai i madh, 27 vjeçari Ermal Muzhaqi, me detyrë oficer i ushtrisë, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka plagosur Hoxhën.

Sipas policisë, dy vëllezërit ndodheshin në të njëjtin automjet, kur 34 vjeçari qëlloi 24 vjeçarin në krah me thikë. Ende mbetet e paqartë dinamika e ngjarjes, ndërsa oficeri 27 vjeçar është vetëdorëzuar në polici, së bashku me armën e shërbimit.

 “Sot rreth orës 12:20, në Vorë, E.H, 34 vjeç, ka plagosur me thikë në krah K.M, 24 vjeç, banues në Vorë, pasagjer në automjetin me drejtues E.M, 27 vjeç, (vëllezër). Në këto momente, drejtuesi i mjetit, E.M, (oficer ushtrie), ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka plagosur E.H. Të dy të dëmtuarit janë shoqëruar në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa Ermal Muzhaqi, është vetëdorëzuar në Polici, së bashku me armën e shërbimit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia në njoftimin paraprak.